Shkarkimi nga të majtët, Kosovrasti padit Sekretarin e Këshillit Bashkiak
Tiranë- Kryetari i Këshillit Bashkiak Niazi Kosovrasti ka depozituar në Prokurorinë e Tiranës kallëzim penal për shpërdorim detyre, për Sekretarin e Këshillit Behar Zeneli.
Në njoftimin për shtyp të Bashkisë Tiranë thuhet se zoti Zeneli ka shkelur ligjin duke lëshuar aktin e titulluar: njoftim, për zhvillimin e mbledhjes jashtë radhe të Këshillit Bashkiak.
Ligji përcakton se: thirrja për mbledhjen e Këshillit bëhet nga kryetari i Këshillit. Njoftimin, sekretari i Këshillit e bën vetëm pasi Kryetari i Këshillit vendos të thërrasë Këshillin në mbledhje. Ligji ka diferencuar qartë thirrjen e mbledhjes nga njoftimi i saj,- thuhet në njoftim.
Sipas Kosovrastit: Me kallëzimin e këtij akti, nuk synoj të dënoj shtetasin Zeneli, por nëpërmjet tij dua të përfshihem në denoncimin e kësaj praktike kriminale të përdorimit të detyrës, në funksion të interesit të partisë dhe jo të shtetit, funksionar i të cilit shtetasi Zeneli është.