Gurakuqi: Nard Ndoka dezinformon publikun, Gjykata e Apelit s’ka marrë vendim

Nisur nga dezinformimi publik i deputetit Nard Ndoka lidhur me çështjen juridike, Partia Demokristiane e Shqipërisë dhe kryetari i saj Anton Gurakuqi, sqarojnë se Nard Ndoka ka nisur një fushatë tjetër shpifjesh, me pretendimin se ai paskësh fituar PDK-në me të drejtën juridike të lëshuar nga organet e drejtësisë.
“E vërteta lidhur me këtë situatë është kjo, Gjykata e Apelit nuk mori në shqyrtim kërkesën për zbardhjen e falsifikimeve të Nard Ndokës, ndërsa ju informojmë me përgjegjësi publike se organi i Prokurorisë së Tiranës është institucioni që po heton falsifikimet e këtij personi që po përpiqet dita ditës t’u fshihet akuzave të hedhura në adresë të tij, pas lojërave të pista politike”, tha Gurakuqi.
Sipas tij, Gjykata e Shkallës së Parë institucioni që ka vijuar procesin dhe pritet të vendosë shumë shpejt se kush do të jetë Kryetari i Partisë Demokristiane të Shqipërisë, Anton Gurakuqi apo Nard Ndoka. Gurakuqi theksoi se këto fakte mund ti kërkojë lehtësisht në institucionet e sipërpërmendura, çdokush që është i interesuar për të vërtetën, si demokristianët ashtu edhe opinioni i gjerë publik.
“Pra, juridikisht janë Gjykata e Shkallës së Parë dhe Prokuroria e Tiranës institucionet që do të legjitimojnë të vërtetën, kryetarin e PDK-së, Anton Gurakuqi dhe zbardhjen e falsifikimeve të rënda e të turpshme të Nard Ndokës. Ajo që ne duam të theksojmë sot është fakti se politikisht tashmë e dinë të gjithë se kush janë demokristianët e vërtetë, dhe kush është kryetari i tyre. Ne jemi të bindur se do ti shkojmë deri në fund kësaj çështjeje, do te fitojme duke mos lejuar askënd që të tallet me vlerat e Partisë Demokristiane nga njerës pa identitet dhe që nuk përfaqësojnë asgjë në këtë parti. Ne, demokristianët e vërtetë dhe Kryetari i PDK-së Anton Gurakuqi do të luftojmë me të gjitha mënyrat për të fituar atë që Ndoka i vodhi padrejtësisht demokristianëve”, nënvizoi Gurakuqi.
...