Shkarkohet Bernd Schuster
Kampioni i Spanjës, Real Madrid, ka shkarkuar edhe zyrtarisht nga detyra trajnerin Bernd Schuster dhe në vend të tij pritet të sjellë ish-trajnerin e Tottenhamit dhe Sevillas, Juande Ramos. Drejtori sportiv i klubit Predrag Mijatovic dhe presidenti Ramon Calderon, kanë zhvilluar një takim, nga i cili ka rezultuar vendimit për shkarkimin e trajnerit gjarman. Pozita e Schusterit një kohë të gjatë kishte qenë e lëkundur nga rezultatet e dobëta dhe kampioni i Spanjës aktualisht është në vendin e pestë të tabelës me nëntë pikë prapa kryesuesit, Barcelonës. Zëvendës i Schusterit në stolin e menaxherit pritet të jetë Juande Ramos, i cili mund të zbulohet më vonë gjatë ditës, dhe pritet të udhëheqë klubin në ndeshjen e nesërme të Ligës së Kampionëve, përballë Zenitit. Ramos është i papunë që nga tetori, kur drejtuesit e Tottenhamit e shkarkuan pas fillimit më të dobët në historinë e klubit.