E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkarkohet kreu i SHISH. Nishani firmos kerkesen e Berishes

Presidenti Bujar Nishani dekreton lirimin nga detyra të Drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror, Bahri Shaqiri dhe emërimin në këtë detyrë të Visho Likës.

Sipas njoftimit të Presidencës, kreu i shtetit në mbështetje të Kushtetutës dhe Ligjit “Për Shërbimin Informativ Kombëtar”, i ndryshuar, me propozim të Kryeministrit dekretoi lirimin nga detyra të Drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit, zotit Bahri Shaqiri dhe emërimin në detyrën e Drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit, të zotit Visho Lika.

Kreu i shkarkuar i SHISH-it, Bahri Shaqiri në vitin 2002 ka nisur punen, si shef i kabinetit të drejtorisë së këtij Shërbimi.

Kush është Visho Lika?

Visho Lika është diplomuar në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, dega matematikë (1976-1981).  Në vitin 1991 ai mbrojti doktoraturën në shkenca kompjuterike dhe në periudhën mars-korrik 1993 dhe një studim post doktoraturë në Universitetin Politeknik të Barcelonës.

Ndërkohë që në periudhën maj 1993- qershor 1997, mbante postin e diplomatit dhe të drejtorit në Ministrinë e Jashtme.

Që nga dhjetori i vitit 2009 deri më tani ai mbante detyrën e zëvendësministrit në Ministrinë e Inovacionit, Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, e drejtuar nga Genc Pollo.

Aleanca Kuqezi: Berisha pushtoi çdo institucion

Pas lëvizjes së fundit reagoi edhe Aleanca Kuqezi, e cila vlerëson se 'pas shkarkimit të kreut të SHISH-it me kërkesë të Kryeministrit dhe emërimit në këtë post të Visho Likës, Berisha përfundimisht pushtoi çdo institucion'.

"U bëjmë apel qytetarëve të kenë kujdes sepse përgjohen nga Partia Demokratike. Në Shqipëri nuk ka më institucione, por seksione të Partisë Demokratike. Tani Shërbimi Informativ transformohet në shërbim të Partisë dhe me emërimin politik të Visho Likës, Berisha nis gjuetinë e përgjimeve dhe ndjekjeve", thuhet në deklaratë.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›