E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkatërrimi i tubacionit kryesor lë Durrësin pa ujë të pijshëm

Vjedhje masive e ujit në të gjithë linjën e ujësjellësit
Uji që vjen nga burimi i Fushëkuqes dhe furnizon gjithë qytetin e Durrësit shpërdorohet dhe vidhet në mënyrë masive përgjatë rrugës së tij nga burimi në destinacion. Tubi 700 mm që është shtruar vetëm dy vite më parë nga burimi në Fushë Kuqe e deri në depot e Durrësit është dhunuar pas ndërhyrjeve të paligjshme që janë bërë. Ndërmarrja e ujësjellës kanalizimeve sh.a dhe prefektura kanë dalë në terren për të nisur aksionin e prerjes së të gjitha këtyre lidhjeve ilegale. Afrimi i sezonit të verës dhe shtimi i kërkesës për ujë të pijshëm në zonën turistike por edhe në qytet ka nxitur autoritetet e ujësjellësit dhe të prefekturës të organizohen për të rivënë nën kontroll ujin e pijshëm. Tubacioni nga Fushë Kuqe deri në Durrës është dëmtuar në dhjetëra pika duke bërë që uji të keqpërdoret dhe të pakësojë sasinë e nevojshme për popullatën. Pikërisht tubacioni 700 mm është dhunuar në mënyrë të qëllimtë në 74 pika nga burimi deri në Xhafzotaj të Durrësit. Disa ditë më parë drejtori i shoqërisë së ujit në Durrës, ing Agron Islami ka pohuar se dëmtimi i magjistralit është jo vetëm përgjegjësi e personave që kanë ndërhyrë në rrjet por edhe e pushtetit vendor. Edhe pse ujësjellësi ka njoftuar zyrtarisht komunat dhe bashkitë për emrat e personave që kanë çarë tubacionin kryesor, njësitë vendore nuk kanë marrë asnjë hap për të dërguar para drejtësisë shkaktarët. Ndërsa gjendja e ujit të pijshëm ka ardhur duke u bërë problem edhe për shkak të rritjes së temperaturave dhe konsumit, ujësjellësi e prefektura kanë ngritur grupin e punës për të prerë lidhjet e paligjshme. Ne kemi të regjistruar plot 74 lidhje të paligjshme në magjistralin kryesor që sjell ujin nga Fushë Kuqe në Durrës dhe të gjitha do të priten në një javë, ka thënë ing. Agron Islami. Këto ditë janë prishur 7 ndërhyrje dhe e gjitha baza materiale që ka shërbyer për të kryer lidhjen e paligjshme është sekuestruar në sajë të një procesverbali. Drejtori Islami ka pohuar se kjo fushatë ka nisur në kryqëzimin që ndan fshatin skajor të Durrësit, Shkafanën me Manzën. Persona tashmë të njohur nga ujësjellësi kanë shfrytëzuar terrenin për të bërë ndërhyrjet dhe më pas kanë shtrirë tubat deri në parcelat e tyre. Aktualisht Durrësi furnizohet me 36 mijë deri në 38 mijë m3 ujë në 24 orë, sasi kjo e cila nuk është në kapacitetin që vjen nga pompat e nënstacionit të fuqishëm në Fushë-Kuqe, ka deklaruar drejtori i ujësjellësit. Nga matjet në terren të pjesës që humbet jashtë tubit si pasojë e lidhjeve të paligjshme ujësjellësi humbet afro 10 mijë m3 ujë në 24 orë. Është më shumë se ¼ e ujit që shpërdorohet dhe kjo situatë nuk do të tolerohet më, ka shtuar Islami. Tubacioni 700 mm është dëmtuar në Mëzës, Ishëm, Kthesa e Ariut, Katund Sukth, Stalla Sukth, Xhafzotaj e kështu me radhë deri në depon e Arapaj. Gjatë komunikimit me banorë të zonës si dhe me persona të cilët kanë guxuar të prekin rrjetin si drejtori i ujësjellësit edhe prefekti i Durrësit Klodian Pajuni u kanë bërë të ditur se tubacioni i ujit të pijshëm është cilësuar me lidh vepër e rëndësisë së veçantë. Prekja e tubit të ujit përbën vepër penale dhe kjo është ribërë edhe një herë e ditur. Do të bëjmë kallëzim penal për çdo person që do të guxojë të e rilidhë tubin në tubacionin kryesor në mënyrë të paligjshme, ka thënë prerë ing. Agron Islami.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›