Topalli: Zgjedhjet nuk mund ti prish njeriu që ka prishur familjen e tij
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, gjatë një takimi me gra të Korçës, ka premtuar liberalizimin e vizave në mandatin e dytë qeverisës, duke e cilësuar atë mandat të punësimit, liberalizimit të vizave dhe mandati në të cilin Shqipëria do të bëhet gati për tu bërë anëtare e Bashkimit Europian.
Në vijimi të turit "Gratë për Fitoren", kryetarja e Kuvendit u ndal në qytetin e Korçës, ku gjeti mbështetje për vazhdimin e projekteve të mëdha të nisura nga qeverisja demokratike. Duke i bërë thirrje qytetarëve shqiptarë që të pajisen me kartat e identitetit, Topalli siguroi se 28 qershori do jetë dita e zgjedhjeve më të mira që Shqipëria ka pasur dhe askush nuk do të mund ta prishë këtë ditë. Ju bëj thirrje që të shkoni të merrni kartat e identitetit. Thuajuni edhe socialistëve dhe të majtëve që të shkojnë të aplikojnë për të marrë kartat e identitetit. Nga Korça do ti them Edi Ramës se festën e zgjedhjeve të 28 qershorit nuk mund ta prishë njeriu i certifikatave, nënvizoi kryetarja e Parlamentit. Sipas saj, zgjedhjet e 28 qershorit nuk mund ti prishë njeriu që ka prishur familjen e tij të vogël, dhe po prish familjen e tij politike.