E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkatërrimi i varrezave nuk është rrugë për zgjidhjen e problemeve

Kosova ka institucionet ligjore dhe te gjitha problemet duhet të zgjidhen përmes tyre, e jo duke shkatërruar varreza, në mënyrë vandale. Kështu, deklaroi ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Islam Lauka, gjatë një vizite që i bëri Kishës Ortodokse ”Shën Nikolla” në Prishtinë.

Ambasadori shqiptar në Prishtinë, Islam Lauka i shoqëruar nga ministri i pushtetit lokal, Sllobodan Petroviç, ka vizituar kishën ortodokse, Shën Nikolla, në Prishtinë. Ata kanë dënuar ashpër sulmin mbi disa varreza serbe që ka ndodhur ditë më parë.

Me këtë rast Islam Lauka, duke ndërlidhur këto veprime me ngjarjet në Preshevë tha se shkatërrimi i varrezave nuk është rrugë për zgjidhjen e problemeve.

“Për fat të keq ditëve të fundit, në Kosovë kanë ndodhur akte të dhunshme që erdhën pas në veprimi të dhunshëm në Preshevë. Natyrisht, kundërshtimi, zemërimi, ndaj këtij akti vandal është i natyrshëm, por jo deri në atë masë sa të na bëjë të ngrehim dorë kundër varreve” , tha Lauka, raporton RTK. 

Ndërsa që ministri i pushtetit lokal Sllobodan Petroviç tha se veprimet e tilla dëmtojnë punën tonë që është bërë në ngritjen e bashkëjetesës multi-etnike në Kosovë.

“ Dëshiroj të besoj se në periudhën në vijim do të kemi mundësi për aktivitetet dhe veprime konkrete, që të inkurajon të gjithë njerëzit dashamirës që të vazhdojmë rrugën e integrimit në BE dhe bashkëjetesën tonë, që është interes i yni i përbashkët“, tha Petrociç.

Aktet e sulmeve të ndryshme mbi varrezat serbe që ndodhën këto ditë, janë dënuar nga institucionet vendore e ndërkombëtare./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›