Reflekton ministria

Zyra e shtypit e Festivalit të Butrintit konfirmoi dje se Ministria e Kulturës do ta mbështesë ardhjen e projektit mbarëshqiptar "Peer Gynt" të Ibsenit, lënë jashtë për shkak të pakësimit të fondeve
Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve duhet të ketë reflektuar për pasojën që pati shkurtimi i buxhetit për edicionin e njëmbëdhjetë të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit "Butrinti 2000".
Sepse zyra e shtypit të Festivalit që nis pas dy netësh në skenën e qytetit antik, bëri të ditur dje "kthimin në kalendar të "Peer Gynt të Ibsenit". Projekti mbarëshqiptar i dramës, pjesëmarrës në ditarin e Festivalit, u deklarua jashtë, javës që shkoi.
Ministria e Kulturës që mbështet çdo vit "Butrintin 2000" kishte hequr dorë nga buxheti i premtuar, gjë që i detyroi organizatorët "të sakrifikonin" projektin e mbështetur nga "Ibsen Award", një superprodhim 100 mijë euro, me regji të një emri të rëndësishëm të teatrit në Ballkan e më gjerë, Slobodan Unkovski.
Pas këtij lajmi ka pasur reagim në shtyp të organizatorëve, po dhe të një protagonisti të veprës, aktorit Bajrush Mjaku, iniciator i këtij realizimi të Teatrit të Dramës Shqipe të Shkupit. Mjaku fitoi në vitin 2009 nga "Ibsen Award" në Norvegji mbështetjen për të zhvilluar projektin "Peer Gynt by Henrik Ibsen - first time in Albanian language" në nivel rajonal.
Edhe në Kosovë media e ka ngritur këtë shqetësim për dorëheqjen e ministrisë së Kulturës shqiptare, kur "Peer Gynti" sipas kushteve të "Ibsen Award" duhet të ketë mbështetjen e ministrive apo e institucioneve të teatrit nga të tre vendet: Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri, dhe falë kësaj mbështetjeje, "Peer Gynti" shqiptar me aktorë nga tre vendet, do duhej të shfaqej në teatrot e trekëndëshit Shkup-Prishtinë-Tiranë.
"Dilema ime është se vështirë shqiptarët atje të konsumojnë vlerë të mirëfilltë të Teatrit Shqiptar, që ndodh jashtë kufijve shqiptarë.
Mirëpo, le t'iu ngelet turpi atyre që e kanë gjetur të arsyeshme që pikërisht këtë bashkëpunim, këtë kooproduksion në mes të tri shteteve ta largojnë nga festivali", ka thënë Mjaku para pak ditësh pas lajmit të keq.
Ishte një rast që hante diskutim për keqfunksionimin dhe keqadministrimin e sektorit të projekteve artistike në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Janë shenja anomalish të rënda që projektet miratohen sa për të thënë, duke luajtur me buxhetet dhe rrezikuar realizimin e tyre, duke dëmtuar imazhin e aktiviteteve, duke vënë në dyshim seriozitetin e atyre të tjerave që kanë karakter ndërkombëtar.
Dhe së fundi, duke nxjerr sërish zbuluar problemin e hershëm: iniciativat private të individëve dhe shoqatave nuk bëjnë dot një hap pa ndihmën e shtetit, çka rezulton një ndihmë vetëvrasëse: asnjëherë nuk mjafton, nuk nxit dëshirën për të bërë më të mirën sepse nuk mund të realizohen në këtë formë ngjarje kulturore me standarde konkurruese.
Është historia që tregon se varfëria financiare nuk vjen natyrisht prej "vështirësive të përgjithshme të zhvillimit që kalon vendi", vjen prej varfërisë mendore dhe dëshirës së militantëve për ta mjelë administratën për aq kohë sa partia është në pushtet.
Që "Peer Gynt" rikthehet, është lajm i mirë me një bisht pas. Bordi i miratimit të projekteve artistike ka në krye ministrin e Kulturës.
Ai bord dhe ai ministër vendosi që buxheti të shkurtohet, dhe po këta anuluan lojën. Cili ishte ai mik që ia ktheu mendjen mendjen ministrit të Kulturës të heq dorë nga vendime që do duhej të ishin marrë me përgjegjësinë e një administratori të fondeve publike?
Shfaqja
Festivali i Butrintit mbahet më 17-22 korrik. "Peer Gynt" mendohet të shfaqet më 22 korrik. Ndoshta kalendari, mund të ketë një lëvizje datash, sepse më 23 korrik trupa prezantohet në Festivalin "Vera e Ohrit".
Në "Peer Gynt" interpretojnë: Vjosa Abazi, Vlora Nikci, Albulena Kryeziu, Flutura Zymi, Adrian Morina, Bekim Guri Besart Zeneli, e Flutura Basha nga Kosova, me Bajrush Mjaku, Xhevdet Jashari, Mirsad Iseni, Fisnik Zeqiri, Blerim Dardhishta, Visar Etemi, Beqir Nuredini, Armenis Nokshiqi, Mirlinda Saiti dhe Zarije Jonuzi nga Maqedonia dhe nga Shqipëria Yllka Mujo.
Skenografia është realizuar nga Miodrag Tabacki (Serbi), koreografia nga Gjergj Prevazi (Shqipëri) dhe kostumet nga Aleksandar Nospal (Maqedoni).