E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët duhet të deklarojnë pasurinë

Ligji i ri për tatimin mbi të ardhurat, plotësim formulari mbi shpenzimet dhe të ardhurat

Projekti i shumëpërfolur për deklarimin e të ardhurave të çdo individi ka marrë aprovimin dje në qeveri, duke i hapur rrugë zbatimit të tij. Bëhet fjalë për ndryshimin e ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, sipas të cilit, çdo person duhet të plotësojë një formular me të ardhurat dhe shpenzimet e kryera gjatë një viti. Shpenzimet dhe të ardhurat duhet të jenë të vërtetuara përmes faturave të ruajtura dhe nga diferenca do të aplikohet tatimi 10 për qind, i cili në rast se del më i lartë se taksat e paguara, atëherë individi do të rimbursohet. Ministria e Financave ka vendosur kufizime mbi nivelin e të ardhurave që duhet të deklarohen, por duke parë shumat (200 mijë lekë të ardhura në vit), praktikisht që të gjithë do të jenë pjesë e skemës.

Sipas ligjit të ri, që hyn në fuqi më 1 janar 2011, tatimpaguesit individë apo të vetëpunësuarit, rezidentë në Republikën e Shqipërisë, si edhe jorezidentët që realizojnë të ardhura në territorin e Republikës së Shqipërisë, duhet të dorëzojnë deklaratën vjetore të të ardhurave pranë administratës tatimore qendrore, jo më vonë se data 30 prill, e vitit që pason periudhën tatimore, për të cilën bëhet deklarimi. Përjashtohen nga detyrimi për të plotësuar deklaratën vjetore të të ardhurave tatimpaguesit që janë të vetëpunësuar e që kanë një qarkullim vjetor, deri në 2 milionë lekë dhe tatimpaguesit individë, të cilët gjatë një viti realizojnë të ardhura vjetore, deri në shumën 200 mijë lekë. “çdo deklaratë vjetore e të ardhurave plotësohet me numrin e letërnjoftimit të individit, i cili shërben si kodi fiskal i individit”, thotë pika 4 e nenit 13.

Deklarata vjetore e të ardhurave plotësohet nga tatimpaguesi, që mbart detyrimin për të deklaruar dhe përmban të dhëna për të ardhurat bruto, për shpenzimet e zbritshme të kryera, si dhe për tatimet e paguara gjatë periudhës tatimore. Deklaruesi, në rast se konstaton gabime materiale të bëra nga ai vetë gjatë plotësimit të deklaratës, ka të drejtë që brenda 3 muajve nga data e dorëzimit të deklaratës të bëjë korrigjimet e nevojshme.

Të ardhurat që individi duhet të deklarojë janë paga, shpërblimet, përfitimet nga interesat në bankë, nga qiratë apo shitja e banesës, nga trashëgimia etj.

Sa u takon shpenzimeve që janë të zbritshme, për efekt të llogaritjes të së ardhurës së tatueshme të tatimpaguesit, që plotëson deklaratën vjetore të të ardhurave, janë: shpenzimet për kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, kur kontributi është deklaruar si i paguar në burim, por rezulton të jetë i papaguar; shuma e interesit bankar të kredisë së marrë për shkollim, për vete apo për fëmijët e për personat në kujdestari; dhe shpenzimet për mjekim, për vete apo për fëmijët e për personat në kujdestari, për pjesën e pambuluar nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor, në masën deri në 4.1 për qind të të ardhurave bruto, sipas përcaktimeve të rregulluara me vendim të Këshillit të Ministrave. “Individët jorezidentë, si dhe deklaruesit që kanë të ardhura vjetore prej të paktën 800 000 lekësh, nuk përfitojnë nga e drejta e llogaritjes së shpenzimeve të zbritshme”, thuhet në ligj.

Shkalla tatimore e aplikueshme mbi të ardhurat e tatueshme të tatimpaguesit, që plotëson deklaratën vjetore të të ardhurave, është 10%. Tatimpaguesi, që bën deklaratën vjetore të të ardhurave, për çdo të ardhur dhe shpenzim, të referuar në këtë deklaratë, mban kopje origjinale të dokumentit që provon të ardhurën apo shpenzimin e zbritshëm ose fotokopje të njësuar nga institucioni lëshues i dokumentit. Në rastin kur deklarata dorëzohet dorazi apo me postë, fotokopje të këtyre dokumenteve i bashkëlidhen deklaratës vjetore të të ardhurave. Origjinali i tyre, në çdo rast, ruhet në përputhje me legjislacionin fiskal dhe i vihet në dispozicion administratës tatimore, kur kërkohet nga kjo administratë.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›