Shkatërrohet altari dhe varri monumental
Shkatërrohen në fshatin Toç të Tepelenës monumente të antikitetit. Punimet për shtrimin e aksit rrugor Levan-Tepelenë dëmtojnë rëndë gurët e një tempulli të lashtë, që sipas arkeologëve i përkasin periudhës romake të shekullit III-II p.e.s. Specialistë nga Ministria e Kulturës dhe Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik (ASHA) janë lajmëruar me urgjencë. Ekipi i ekspertëve do të përcaktojë sipas ligjit “Për trashëgiminë Kulturore” shkallën dhe masën e dënimit për autorët e këtij dhunimi
Në aksin rrugor Levan-Tepelenë, ku është duke u ndërtuar autostrada e re, si pasojë e punimeve pranë fshatit Toç, janë shkatërruar në mënyrë të pariparueshme vlera të papërsëritshme të antikitetit. Të premten e javës së kaluar, një ekskavator i drejtuar nga një i ri, i ka ngulur “thikat” e hekurta të gërmimit mbi gurët e një tempulli të lashtë që sipas ekspertëve të arkeologjisë i përkasin periudhës romake të shekullit III-II p.e.s. Nga një varr monumental i zbukuruar me kolona dorike dhe figurina interesante të gdhendura në gur kanë mbetur vetëm dy stela guri, ndërsa nga altari apo tempulli, dy gurë të kornizës së tij dhe tri blloqe gurësh. Vendi ku janë zbuluar gurët e varrit dhe tempullit të lashtë ndodhet në afërsi të fshatit Toç i Ri.
Shkatërrimi i varrit dhe altarit të lashtëSipas banorëve të fshatit Toç i Ri, mëngjesin e së premtes një ekskavator nisi të gërryente tokën për të zgjeruar trasenë e rrugës së re. “Për shkak të kuotave të terrenit në këtë vend, dheun e gërmuar nga traseka e rrugës, ekskavatori e ngarkonte në kamion për të mbushur një trase rreth 100 metra më tutje. Megjithëse dheu aty ishte i butë, thikat e kovës së ekskavatorit hasën në disa gurë të mëdhenj të cilët u ngarkuan në kamionë dhe u shkarkuan për mbushje. Disa banorë të fshatit që ndodheshin aty pranë, panë se gurët e dalë në sipërfaqe ishin të punuar dhe të skalitur dhe i bënë thirrje drejtuesit të mjetit që të ndërpriste punën. Djaloshi që drejtonte ekskavatorin, sipas dëshmitarëve okularë, jo vetëm që nuk i ndërpreu punimet, por nxitoi për të ngarkuar gurët në kamion për t’i larguar nga vendi ku kryheshin punimet e rrugës. “Pas shumë ndërhyrjeve për të ndërprerë punimet në vendin nga ku dilnin gurët e lashtë, ai e ndali punën. Së bashku me disa familjarë morëm disa nga blloqet e mëdhenj të gurëve për t’i ruajtur”, vazhdon rrëfimin një tjetër dëshmitar okular, Shpëtim Hasanbegaj. Ndërkaq, një tjetër banor i Toçit të Ri, 52-vjeçari Muzafer Halili thotë se jo vetëm në këtë vend ku janë zhvendosur objektet e lashtësisë me përmasa të mëdha, por edhe në një vend tjetër, në pjesën juglindore të fshatit, gërmimet kanë nxjerrë në sipërfaqe objekte më të vogla të lashtësisë, fragmente tasash, ene kuzhine të përdorimit të përditshëm, tjegulla, etj.
Të ndërgjegjësuar për vlerat e humburaBanorët e Toçit, të shqetësuar për shkatërrimin e këtyre vlerave të papërsëritshme të historisë së lashtë të shqiptarëve, kanë njoftuar fillimisht disa gazetarë dhe korrespondentë të shtypit qendror që raportojnë për rajonin jugor nga Gjirokastra, të cilët nga ana e tyre njoftuan në drejtuesit e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare dhe disa arkeologë të përfshirë në ekspeditën e misionit të përbashkët arkeologjik shqiptaro-italian në Hadrianopol, në qendër të luginës së Drinos në Gjirokastër.
Bashkë me shqetësimin për humbjen e këtyre vlerave nga ndërtimi i autostradës, ata u dhanë arkeologëve, ekspertëve të monumenteve dhe gazetarëve edhe mjaft informacione të vlefshme për gjurmë të shumta të lashtësisë në territorin e fshatrave të Tepelenës që ndodhen në të djathtë të rrjedhës së lumit të Vjosës.
çfarë ka mbetur nga objektet e shkatërruaraArkeologu Dhimitër çondi, arkeologu italian Roberto Perna, drejtori i DRMK Spartak Drasa dhe dy ekspertë të Parkut Arkeologjik të Antigonesë mbërritën menjëherë në vend, duke nisur inventarizimin e pjesëve të mbetura nga objektet e shkatërruara. “Mund të themi se kemi të bëjmë me dy stela varri të punuara me mjaft mjeshtëri e kujdes, dy pjesë të një altari dhe tre blloqe të mëdhenj guri që ngjajnë me gurët e një tempulli apo një altari”, shpjegon arkeologu çondi. Për sa i takon stelave të varrit, njëra prej tyre ka një figurinë gruaje të gdhendur me kujdes që qëndron në një pjesë të kufizuar nga dy kolona dorike me kanelura. Figurina e gruas është punuar në reliev me fytyrë përpara me një dorë të përthyer në gjoks dhe me një objekt në dorën tjetër që mund të jetë një pasqyrë. Arkeologu shpjegon se stela të tilla varresh dhe gurë altari dhe tempulli janë gjetur më parë në të gjithë territorin e fisit të amantinëve. Mandej, sipas tij, gurët e altarit janë krejtësisht të ngjashëm me gurët e gjetur në tempullin e qytetit të Amantias, i cili ndodhet në anën tjetër të Vjosës në Plloç të Vlorës. Në inventarin e gjetjeve në territorin përreth arkeologët vlerësuan disa pjesë qeramikash me vernik të zi, enë qeramike të prodhimit të përditshëm, gryka pitosi, copa tjegullash çatie etj., të cilat sipas arkeologut flasin për një vendbanim të lashtë që ka ekzistuar në këtë anë të rrjedhës së Vjosës (krahu i djathtë i saj). Drejtori i DRMK, Spartak Drasa, tha se për këtë ngjarje është njoftuar me urgjencë MTKRS dhe Agjencia e Shërbimit Arkeologjik (ASHA) dhe se në drejtim të vendit ku u zbuluan objektet është nisur brenda pak orëve një ekip ekspertësh të cilët do të vlerësojnë dëmin dhe do të vazhdojnë procedurat për të ndëshkuar shkaktarët e dhunimit të kësaj trashëgimie të kulturës dhe historisë kombëtare.
NdëshkimiPunimet për realizimin e projektit infrastrukturor të rehabilitimit dhe ndërtimit të aksit rrugor jugor Levan- Tepelenë, pjesë e rëndësishme e korridorit rrugor të Jugut financohen nga një hua e përbashkët e dhënë nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Banka Europiane e Investimeve. Pjesa e Toçit, vendi ku u gjendën këto objekte, përfshihet në pjesën e rrugës Levan-Dames 37,3 kilometra e gjatë. Firma fituese e tenderit është shoqëria greke AEGEK Construction S.A., e cila me sa duket nuk i ka kushtuar vëmendjen e duhur gjurmëve të antikitetit gjatë punimeve për ndërtimin e kësaj rruge, duke shkaktuar një dëm të madh edhe për të ardhmen e turizmit kulturor në këtë rajon. Pas inspektimit të vendit dhe analizës së rrethanave të kësaj ngjarjeje, pritet që ekipi i ekspertëve të ASHA-s të përcaktojë sipas ligjit “Për trashëgiminë kulturore” shkallën dhe masën e dënimit për firmën dhe autorët e këtij dhunimi.
#