E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ofertat e turizmit shqiptar, në krizë

Problemet Operatorët kërkojnë rishikimin e ligjit. Ngrihet grupi i punës

Ligji aktual “Për turizmin” gjykohet se duhet rishikuar nga Shoqata Shqiptare e Turizmit (ATA), nisur nga problemet e shumta që janë hasur në zbatimin e tij. Për këtë shkak, drejtues të shoqatës kanë zhvilluar një takim për të koordinuar punën në hartimin e propozimeve që do t’i dërgohen shumë shpejt Ministrisë së Turizmit dhe Kulturës. Aktualisht sektori i turizmit shqiptar po përballet me zhvillime dinamike si në tregun kombëtar, ashtu dhe në atë ndërkombëtar të turizmit, duke u gjendur në situata të reja konkurruese. “Diskutimet në këtë tryezë treguan se oferta shqiptare e turizmit është në rrezik. Ky fakt përforcon edhe një herë rëndësinë jetike të ligjit të turizmit për të siguruar kushtet që do të ndihmojnë në përmirësime të menjëhershme të konkurrencës së ofertës turistike shqiptare brenda vendit dhe në tregjet ndërkombëtare”, deklaroi pas takimit Matilda Naço, drejtore ekzekutive e ATA-s. Sipas saj, normat e parashikuara të rritjes nuk arrihen vetëm prej dëshirës së mirë. Shoqata kërkon përpjekje të mëdha të sektorit privat të turizmit, i cili është krijuesi i të ardhurave, dhe nga ana tjetër një kuadër të përshtatshëm rregullativ për sektorin e turizmit. Prandaj grupi i ekspertëve të ATA-s vendosi të thërrasë së shpejti sektorët përkatës të hotelerisë, turoperatorëve e agjencive turistike, si dhe restoranteve, me qëllim që të kontribuojnë për të përmirësuar ligjin. Presidenti i ATA-s, Kliton Gërxhani, u shpreh se "ATA ka një marrëveshje bashkëpunimi me MTKRS-në. Prandaj unë personalisht do ta informoj ministrin Xhaferaj mbi mënyrën se si shoqata mendon të veprojë në përputhje me procedurat ligjore për të kontribuar në përmirësimin e ligjit të turizmit. Sfida e përbashkët është që të sigurojmë kuadrin rregullativ, i cili do t’i ndihmojë industrisë së turizmit të japë mbështetjen më të mirë të mundshme në ekonominë shqiptare". Operatorët turistikë kanë ngritur disa herë shqetësimin sa i takon nivelit të taksave në vend, që konsiderohen të larta, në raport me vendet fqinje të rajonit. çështja kryesore lidhet me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) që për Shoqatën Shqiptare të Turizmit konsiderohet e lartë, 20 për qind, kur disa vende e kanë 15 për qind. Gjatë qeverisjes “Berisha”, ligji “Për turizmin” ka pësuar dy herë ndryshime. Në herën e fundit u pyetën edhe drejtues të shoqatës, por mungesa e një koordinimi mes tyre bëri të mundur që ligji të kalonte pa marrë në konsideratë kërkesat e sektorit privat.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›