Shkatërrohet një rrjet i drogës në Arizonë

Në total, 76 të dyshuar janë arrestuar dhe sasi të mëdha droge e armësh janë sekuestruar në një seri bastisjesh.
Zinxhiri i trafikut përdorte udhëtarë me çanta si dhe automjete për të trafikuar marijuanë, kokainë dhe heroinë, përmes shkretëtirës perëndimore të Arizonës.
Rrjeti ishte i lidhur me kartelin meksikan të Sinaloas dhe në pesë vitet e fundit vlerësohet të ketë fituar rreth 2 miliardë dollarë.
“Sot i kemi dhënë një goditje të rëndë ndërmarrjes kriminale meksikane, që ka qenë përgjegjëse për helmimin e komunitetit tonë”, deklaroi prokurori i përgjithshëm i Arizonës, Tom Horne.
“Më duket tërësisht e papranueshme që lagjet e Arizonës të përdoren si sheshe për shpërndarjen e drogës”, ka shtuar ai.
Aksioni i policisë, i koduar me emrin “Transporti Ekspres”, u krye pas 17 muajsh hetime nga agjenci të ndryshme të zbatimit të ligjit.