E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkelet Bashkimi

Klubi i basketbollit Bashkimi, të premten e ka pësuar njërën prej humbjeve më të thella në histori të vet. Prizrenasit u turpëruan në Mitrovicë, duke humbur nga klubi serb Bambi me 97 pikë diferencë, 137:40. Për t’i ruajtur lojtarët kryesorë, prizrenasit kishin udhëtuar për këtë ndeshje me ekipin e të rinjve. Jo më shumë se dy javë më parë, ekipi Portokalli kishte fituar me 98 pikë dallim ndaj Dritës, 146:48.

Kryetari i Bashkimit, Fadil Sahiti, këtë humbje e arsyeton me orarin e papërshtatshëm që ia vendosi Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) për t’u zhvilluar ndeshja.

“Trajneri i Bambit, Dashiq, na telefonoi dhe na detyroi të luanim të premten, pasi atij i konvenonte ky orar. Edhe komisari i garave, Nazmi Paçarada, na luti të pranonim të luanim të premten. Kjo është absurde, pasi që të mërkurën, dy net më herët, në ndeshjen All Star kanë luajtur 8 lojtarë tanë: 3 për Kosovën e 5 për të huajt”, tregoi Sahiti për Express.

Për këtë, zyrtarët e klubit prizrenas kishin vendosur të udhëtonin në Mitrovicë me basketbollistë të ekipit të kadetëve. “Lojtarët ishin të lodhur, kështu që vendosëm të luajmë me kadetë sepse juniorët kishin angazhimet e veta. Ne e patëm siguruar pozitën e tretë, kështu që nuk është kjo humbje asgjë tragjike. Madje javë më parë, ne e kemi mundur Dritën me 100 pikë avantazh”, vazhdoi Sahiti.

Është fakt se Bashkimi ka luajtur kundër Bambit me basketbollistë të rinj, por një klubi si ai prizrenas, që ka shpenzuar shumë dhe që synon titullin e kampionatit, nuk i lejohet të pësojë kësi lloj debakli, pa marrë parasysh rrethanat tjera.

Në ndeshjet tjera që zhvillohen të dielën, Peja dhe Trepça do të luajnë vetëm sa për prestigj ndaj Kosovës dhe Kolegjit EuroSporti, pasi që tashmë dihen katër ekipet e para që do të marrin pjesë në play-off.

TechnoMarket Superliga
Xhiro XXVIII

Rezultatet
Bambi–Bashkimi 137:40

E shtunë Ora
S. Prishtina-Drita 20:00

E diel
Kosova-Peja 19:00
K. EuroSporti-Trepça 14:00

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›