Lorik Cana, gati kundër Liverpulit
Lorik Cana do të jetë në fushën e lojës në sfidën që Sandërlendi do të luajë sot në “Anfilld Roud” kundër Liverpulit. Të gjithë u çuditën me zgjedhjen teknike të trajnerit Stiv Brus, duke lënë kapitenin e “maceve të zeza” në stolin e rezervave në takimin e barazuar me Aston Vilën. Megjithatë, gjithçka ka qenë e planifikuar, në mënyrë që mesfushori shqiptar të ishte i freskët fizikisht për përballjen me yjet e “Reds” si Fernando Torres, Stiven Xherard apo Havier Maskerano. “Kundër Liverpulit ka një repart ku më nevojiten futbollistë të freskët, ai është qendra e mesfushës. Në ndeshjen kundër Aston Vilës kisha një plan të qartë dhe të njëjtën gjë synoj të bëj edhe përballë Liverpulit”, deklaroi trajneri Brus. Së fundmi, Cana ishte ankuar për intensitetin e madh dhe kalendarin e ngjeshur në Premiershipin anglez.
#