Shkeli konkurencën, gjobë 67 milionë Porto Romanos

Lindita Lati Milo
Koncesionari që operon në tregun e ngarkim-shkarkimit të gazit të lëngshëm në Porto Romano është gjobitur nga Autoriteti i Konkurrencës në vlerën 67 milionë lekë.
Vendimi i komisionit erdhi pas mbylljes së hetimit të thelluar në tregun e ngarkim-shkarkimit të gazit të lëngshëm, hetim ky që filloi gushtin e vitit të kaluar. Në raportin e paraqitur pranë komisionit duket se ka pasur evidenca të mjaftueshme se nga ana e ndërmarrjes që ka me koncesion Porto Romanon, ka abuzim me pozitën dominuese. Ky operator, në mënyrë të përsëritur ka refuzuar të realizojë procesin e shkarkimit të GLN-së për operatorët që kanë investuar për kapacitetet depozituese në pronësi të tyre, duke paraqitur arsye të paligjshme dhe të paarsyeshme. Ky refuzim lidhet me interesat ekonomike të drejtpërdrejta të këtij operatori në tregjet e rrjedhës së poshtme, pra atë të depozitimit dhe të tregtimit me shumicë të GLN-së, duke sjellë kufizimin e konkurrencës në këto tregje, thuhet në një njoftim të Autoritetit. Faktet që institucioni i Konkurrencës merr si bazë për të ndëshkuar ndërmarrjen Romano Port sh.a. janë dy. E para lidhet me barrierat që kjo ndërmarrje ka vendosur për kompani selektive, të cilat nuk janë lejuar të shkarkojnë anijet me gaz të lëngshëm në port, duke u kërkuar atyre dokumentacion shtesë. E dyta, janë favorizuar kompani të tjera, të cilat janë lejuar të kryejnë shërbimet e tyre të shkarkimit të naftës pa dokumentacionin shtesë që u është kërkuar simotrave të tyre. Një tregues tjetër abuzimi është futja në qarkullim e një kontrate tip nga ana e koncesionarit, e cila i ngarkon me detyrime të tjera shtesë operatorët ekonomikë që duan të shkarkojnë produktet e tyre në depozitat që kanë ndërtuar në zonën bregdetare. Kjo kontratë, sipas Konkurrencës, u kalon importuesve disa detyrime që ligji ia ngarkon koncesionarit.
Precedent i përsëritur
Autoriteti i Konkurrencës ka hetuar disa herë në tregun e gazit sa i përket kufizimit nga ana e koncesionarit të së drejtës për ngarkim-shkarkimin për operatorë ekonomikë të caktuar. Edhe gjatë vitit 2010, Konkurrenca filloi një hetim paraprak në këtë treg, pas sinjalizimit që bënë kompani të ndryshme me barrierat që vendoseshin karshi tyre.
NERTILA MAHO