Shkelja, Serbia ndryshoi ligjin për TVSH-në
Serbia, jo vetëm që nuk e përfill marrëveshjen e arritur në Bruksel, por ka ndërmarrë hapa të tjerë për ta penguar eksportin e Kosovës, duke ndryshuar ligjin për TVSH-në. Tashmë, asnjë kamion i Kosovës nuk mund të hyjë në Serbi pa certifikatën e TVSH-së të lëshuar nga strukturat paralele.
Doganierët serbë kanë marrë urdhër të mos lejojnë kalimin e asnjë kamioni nëse eksportuesit nga Kosova nuk dëshmojnë se kanë certifikata të Tatimit Mbi Vlerën e Shtuar, të lëshuar nga organet e Krahinës Autonome të Kosovës dhe Metohisë (strukturat paralele serbe në Kosovë).
Ata detyrohen me ligj ta kërkojnë këtë dokument, pasi një ditë para se pala kosovare të pezullonte masat e reciprocitetit, Qeveria e Serbisë ka marrë vendim me të cilin e ndryshon ligjin për TVSH-në për Kosovën. Ky vendim ka hyrë në fuqi më 16 shtator, pas publikimit në gazetën zyrtare të Serbisë, ndërsa është amrrë vesh nga pala kosovare vetëm të martën.
Pikërisht ky ka qenë shkaku i kthimit në Kosovë të kamionëve që po dërgonin çimento në Luginën e Preshevës.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila ka kërkuar ndihmë nga Brukseli për këtë çështje pasi, sipas saj, ndryshe ka qenë tjetër akordi i arritur me Serbinë më 2 shtator.
Nuk kemi qenë në dijeni deri në momentin që janë kthyer kamionët tanë. Kjo është shkelje e parimit të marrëveshjes që është arritur me 2 shtator dhe jemi në pritje të përgjigjes nga Brukseli për hapat e mëtjeshme, thekson Kusari-Lila.