E Shtunë, 31 Tetor 2026

Autizmi, propozimet e Liri Berishës për të prekurit

Autizmi, çrregullimi neurobiologjik që ka prekur gjithë botën, po bëhet shqetësues edhe për vendin tonë. Pavarësisht se nuk ka statistika zyrtare, pasi këtë do ta mundësojë strategjia kombëtare për autizmin që po përgatitet, raportohet se në vendin tonë 1% e fëmijëve kanë shfaqur shenja të autizmit. Fondacioni “Fëmijët shqiptarë”, i njohur për fushatat dhe mbështetjen për trajtimin e fëmijëve autikë, në prag të 2 Prillit ka deklaruar se do të lobojë pranë strukturave të shtetit, në ndihmë të këtyre fëmijëve, duke kërkuar plotësimin e disa kushteve për trajtimin e të sëmurëve nga autizmi. “Trajtimi afatgjatë i fëmijëve me autizëm, të jetë i njohur dhe i rimbursueshëm nga sistemi shëndetësor në Shqipëri. Institucionet spitalore apo ambulatore pediatrike në qendrat rajonale të ndërtojnë njësitë e diagnostikimit të hershëm të autizmit. Çdo qytet të ngrejë qendra asistence për individët me spektrin e autizmit të grupmoshave të ndryshme, duke ngritur njësitë e edukimit të specializuar pranë kopshteve shkollave të përzgjedhura. Njësitë e qeverisjes vendore të shohin mundësinë e ngritjes së qendrave të asistencës ditore për fëmijët me autizëm mbi 18 vjeç. Rishikimi i plotë i kritereve të asistencës sociale, të kempit për fëmijët autikë dhe familjet, duke u afruar atyre mbështetje maksimale”, - tha Liri Berisha , presidente e fondacionit “Fëmijët shqiptarë”. Ky fondacion ka ngritur një nga qendrat e vetme profesionale për trajtimin me terapi të fëmijëve autikë, “Fluturo për jetën”, ndërkohë që në ditët në vijim, pritet të hapet një qendër e re për fëmijët autikë në Elbasan. Për të gjitha këto problematika të fëmijëve autik, ditën e djeshme, zonja Liri Berisha, organizoi një konferencë për shtyp për të sjellë në vëmendje 2 Prillin, Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin. Duke filluar nga dje, fondacioni ka ndërmarr një fushatë njëjavore sensiblizimi me shpresën se çdokush ka në dorë të bëjë diçka për këta fëmijë dhe familjet e tyre, pasi autizmi është bërë fenomen kohët e fundit. Ky sensibilizim vjen nëpërmjet mjeteve të ndryshme të komunikimit, një spoti televiziv, si dhe shpërndarje fletëpalosjesh nga studentë vullnetarë, nga zona të ndryshme të kryeqytetit. Gjithashtu, mbas dy ditësh do të inagurohet në Elbasan një qendër për trajtimin e autizmit, ku fondacioni e mbështet profesionalisht atë. Po ashtu, më 2 prill do të lancohet për publikun një libër i sapobotuar nga fondacioni “Fëmijët Shqiptarë” “Autizmi në klasën tuaj” . Ky është një libër me 2 autorë që janë profesorët më të njohur në këtë fushë nga Amerika. Për Shqipërinë, ky është i pari botim për autizmin që do të shërbejë si një udhëzues i përgjithshëm për familjet, mësuesit dhe profesionistët që trajtojnë këtë çrregullim.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›