E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkëlqen Kadri

Bashkim Kadri po shkëlqen me ekipin e tij B 93 Copenhagen. 18 vjeçari ka realizuar tregolësh, në përballjen ndaj Sollerod-Vedbaek, në ligën e tretë daneze, Divizioni Lindor.

Talentit të madh shqiptar iu deshën vetëm 13 minuta, për ta realizuar tregolëshin e tij të parë në karrierën profesioniste, në fitoren me rezultat 3:2. Sigurisht, sulmuesi shqiptar ndihet i lumtur me këtë arritje.

“Natyrisht se jam i nderuar, por fitorja e bën edhe më të mirë këtë disponim timin. Ishte një ndjenjë e bukur t’i shënoja tri gola në një ndeshje”, ka thënë Kadri për uebfaqen daneze, bold.dk.

Kadri ishte bërë objektiv i skuadrave Odense dhe Borussia Dortmund, por futbollisti për momentin dëshiron të përqendrohet vetëm në momentin e nxehtë të kampionatit. Ai nuk po mendon njëherë për një herë për të ardhmen.

Ai e ndien më shumë luftën e ekipit B93 për t’u ngritur në një rang më të lartë garash, respektivisht në ligën e dytë daneze (Viasat Divisionen). Një luftë kjo që ai beson se ekipi i tij mund ta fitojë. 9 xhiro pa përfunduar kampionati, B 93 Copenhagen aktualisht zë pozitën e pestë, me 33 pikë, 5 më pak se lideri Avarta.

“Po, mendoj se mundemi. Mirëpo, tash duhet të mendojmë ndeshje pas ndeshjeje. Nëse e fitojmë një lojë, duhet ta fitojmë menjëherë tjetrën, dhe tjetrën dhe tjetrën. Në parim, unë besoj në këtë”, vazhdoi Kadri, i cili e analizoi edhe çelësin e suksesit momental të ekipit të tij. “Mendoj se qëndrojmë më mirë në fazën ofanzive, ku po krijojmë shumë raste”, nënvizoi Kadri.

Ai pret përfundimin e sezonit në Danimarkë, për të vendosur më pas për të ardhmen e tij. Kadri, i cili ka kontratë me B93 deri në verën e vitit 2011, në të kaluarën e kishte shprehur dëshirën që të transferohej në Gjermani, tek Dortmund, por palët nuk ishin marrë vesh në aspektin financiar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›