E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkëlqen Shqipëria

Kombëtarja shqiptare ka treguar lojë të shkëlqyer përballë Malit të Zi, ndaj të cilit fitoi të martën mbrëma me rezultat 1:0, në miqësoren e zhvilluar në Podgoricë. Djelmoshat e trajnerit Josip Kuze kanë qenë më të mirë sesa kundërshtari, gjatë gjithë ndeshjes.

Përkundër lëndimit të hershëm të regjisorit të lojës, Ervin Skela, Kuqezinjtë vazhduan me ritëm të njëjtë deri në fund. Lorik Cana e ka udhëhequr për mrekulli repartin defanziv, duke lënë nën hije repartin ofanziv të malazezëve, që prihej nga lojtari i shquar, Mirko Vucinic.

“Jam i gëzuar për fitoren. Jam i kënaqur me repartin defanziv, por jo edhe me atë ofanziv. Skela u lëndua në fillim. Me të do të luanim edhe më mirë”, ka thënë pas ndeshjes selektori Josip Kuze, i cili nuk ka pësuar asnjë humbje, prej se e ka marrë në dorë përfaqësuesen shqiptare.

Kuqezinjtë kontrolluan lojën në pjesën e parë, ndërsa patën një rast të mirë me anë të Erjon Bogdanit, që u tregua i ngathtë. Portieri Isli Hidi ishte i papunë gjatë tërë ndeshjes, përpos në dy raste, kur rrezikoi sulmuesi i Romës, Vucinic.

Loja e mirë e Shqipërisë u shpërblye në minutën e 79-të, kur sulmuesi Hamdi Salihi shënoi një eurogol nga rreth 20 metra.

Kjo ishte fitorja e dytë rresht e Kuqezinjve, pas asaj ndaj Irlandës së Veriut. Duhet cekur se tek Mali i Zi në pjesën e dytë u paraqit sulmuesi kosovar Fatos Beqiraj, ndërsa trajneri Kuze nuk vendosi ta inkuadrojë në lojë Ahmed Januzin.

Por, sulmuesit të Vorsklas mund t’i vijë radha javën e ardhshme, në miqësoren tjetër të shqiptarëve, që do të zhvillohet në Tiranë. “Në ndeshjen ndaj Andorrës do t’i provojmë lojtarët e rinj”, ka premtuar Kuze.

Prej se e ka marrë ‘timonin’ e Kombëtares shqiptare, trajneri kroat nuk e ka humbur asnjë ndeshje: shënoi tri fitore, ndërsa barazoi në dy të tjera.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›