Shkelqen ne Bundeslige kerkon Shqiperine

Pas afrimeve të Alban Mehas dhe Burim Kukelit, përfaqësueses shqiptare mund ti shtohet një tjetër element i ri. Bëhet fjalë për sulmuesin Ilir Azemi, i cili aktivizohet te Greuther Furthi i Mërgim Mavrajt në Bundesligën.
20-vjeçari ishte protagonist në triumfin 1-0 që Greuther regjistroi në fushën e Maincit, që është edhe fitorja e parë në histori e këtij klubi në elitën e futbollit gjerman. Edhe pse i aktivizua si zëvendësues në minutën e 66-të të takimit, Azemit i mjaftuan vetëm pak sekonda që të ishte vendimtar.
Sulmuesi i talentuar, që cilësohet si një prej lojtarëve të së ardhmes te Greuther Furthi dha asistin e golit për Klaus, pas lëvizjeve mjaft të mira në zonë. Ndërkohë, rrjeta i dha ekipit tri pikët e para në këtë sezon, pas disfatës së pësuar në javën e parë përballë Bajernit të Mynihut.
“Do ta kisha për nder të luaja me fanellën e Kombëtares shqiptare. Ky është vendi të cilit i përkas dhe i ndjek gjithmonë ndeshjet e Shqipërisë”, ishte deklarata e lojtarit të lindur në Prishtinë, që vjen si një mesazh i qartë për FSHF-në dhe trajnerin De Biazi.
Në afrimin e Ilir Azemit në përfaqësuesen kuqezi, një ndihmë të madhe mund të japë edhe Mërgim Mavraj, i cili mban shiritin e kapitenit te Greuther Furthi dhe tashmë është shndërruar në një prej pikave të forta të mbrojtjes së Kombëtares.