Berishën s’e lënë rehat tifozët

Ylli i Brisbane Roar, Besart Berisha ka vendos ta mbyll llogarinë e tij në rrjetin social Twitter, pas abuzimeve dhe sharjeve që ka pranuar që kur e fitoi titullin kontroversal në finalen e madhe të A-League.
Përfaqësuesi shqiptar ishte figura qendrore e eksplodimit në fund të prillit, kur realizoi penalltinë vendimtare në fitoren 2:1 të Brisbane në Suncorp Stadium ndaj Perth, pasi ishte ndalur në zonë nga mesfushori Liam Miller. Kjo penallti ishte e dyshimtë dhe tifozët nuk e kanë pritur aspak mirë akordimin e saj.
Për këtë, qindra fansa të Perth kanë abuzuar me të përmes rrjetit social. Ish futbollisti i Hamburgut ishte subjekt i përqeshjeve dhe talljeve në llogarinë e tij në Twitter. ‘Mashtrues evropian’, ‘fitues i titullit me hile’, ‘pleh’ dhe ‘mbetje e gjërave pa blerë’. Këto ishin disa nga fyerjet që mori sulmuesi kosovar.
“Unë e kam hapur llogarinë time në Twitter vetëm për fansat e mi. Nëse njerëzit mundohen ta përdorin për gjëra të këqija, ata nuk janë njerëz për mua. Nuk e dua Twitterin më, kam mbaruar punë me të”, ka thënë Berisha.
Ai shtoi se njerëzit të cilët i kannë postuar tekste banale, nuk mund ta thërrasin veten tifozë të futbollit. “Nuk ma ndien për ata njerëz, sepse për mua nuk janë mbështetës të futbollit. Ata mund ta përkrahin ekipin e tyre, por nuk kanë nevojë të thonë gjëra të tilla për mua. Kjo është diferenca në mes të tifozit të mirë dhe atij të keq”, shtoi ai.
Berisha thotë se nuk do të ketë probleme nëse do të tallet nga fansat e Perth, kur Roar do të luajë me këtë ekip më 7 tetor në Patersons Stadium.
“Ky është futbolli dhe unë e shijoj atë shumë. Nëse disa njerëz nuk më duan, kjo është normale, sepse ata janë tifozë pasionantë. Edhe unë jam pasionant i futbollit. Nuk e kam problem nëse ata më urrejnë. Do ta kisha problem nëse më duan, sepse ata e mbështesin ekipin Perth. Ata jetojnë për ekipin e tyre, kjo është e mirë. Unë e respektoj faktin se kanë tifozë aq të mirë”, vijoi ai.
Ai shtoi se kjo është një lojë e veçantë për të dhe se dëshiron të jetë i gatshëm. Berisha ndihet i lumtur që ndeshjen e parë ekipi i tij do ta zhvillojë pikërisht ndaj Perth.