E Shtunë, 31 Tetor 2026

FIFA, grup punues kundër korrupsionit

Nga Express më 04 janar 2011 në ora 10:08

Një grup punues për ta mbajtur korrupsionin larg FIFA-s. Kjo është iniciativë e presidentit të Federatës Ndërkombëtare të Futbollit, Joseph Blatter, i cili kështu dëshiron ta largojë këtë problem, duke ia dhënë dritën e gjelbër një komisioni, i cili do ta niste punën në qershor, me rastin e Kongresit të FIFA-s.

“Propozoj krijimin e një grupi punues në Kongres, në program në muajin qershor në Zurich. Ky grup do të merrej me evitimin e rasteve të korrupsionit brenda Federatës”, tha numri një i futbollit botëror për të përjavshmen zvicerane, SonnagsZeitung.

Kompetencat e këtij grupi të ri do të precizohen në muajt në vazhdim. Blatter nënvizon se pjesë e këtij grupi do të jenë njerëz të rangut të lartë dhe me personalitet, pjesëmarrës në botën e sportit, ekonomisë, politikës dhe kulturës.

Asnjë emër për momentin. Gjatë muajit nëntor të vitit që shkoi, Komisioni i FIFA-s i kishte suspenduar dy anëtarë të Komitetit Ekzekutiv, pasi ishte konstatuar se kishin thyer rregullat dhe etikën e Federatës, duke qenë pjesëmarrës në korrupsion rreth organizimit të Botërorit 2018 dhe atij 2022.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›