E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkëlzen Maliqi: Ja pse u ndava me Klanin. Me Berishën dhe Bashën skam pasur kurrë kontakte

shkelzenI emëruar këshilltar i kryeministrit të zgjedhur, Edi Rama, për rajonin, Shkëlzen Maliqi në një intervistë në GSH flet për punën e re.

Ai rrëfen se si duhet të jenë marrëdhëniet me Serbinë, Greqinë dhe Maqedoninë dhe si duhet tiu përgjigjemi sjelljeve e pretendimeve të tyre.

Duhet të jenë raporte fqinjësore sa më të mira edhe për arsye se në këto shtete jetojnë një numër i konsiderueshëm shqiptarësh, sqaron Maliqi.

Maliqi pranon të hedhë dritë mbi akuzat e bëra ndaj tij për luftën në Kosovë apo lidhjet me Serbinë, por tregon përpos njohjes me Ramën në vitet 90, edhe polemikat e përplasjet me Fatos Lubonjën, Aurel Plasarin, Mero Bazen e televizionin Klan.

Me Aurelin kam zhvilluar një polemikë para 18 vitesh. E pata kritikuar pikëpamjen e tij mbi rishfaqjen e Vijës së Theodosit (imperatori që e ndau Perandorinë romake në dy pjesë), që ai e shihte si fatalitet që edhe sot i ndanë tokat dhe kokat shqiptare. Polemika ishte akademike, por edhe rreth rrënjëve evropiane të shqiptarëve. Koncepti i Aurelit ishte përjashtues, mendonte se vetëm katolikët dhe protestantët janë evropianë me rrënjë. Unë isha për qasje përfshirëse, se ideja e Evropës nuk i përjashton ortodoksët dhe myslimanët. Aurelit si duket edhe sot i ka mbetur hatri pse ideja e tij mbi Kosovën matanë vijës së Theodosit, ose jashtë Evropës dhe Perëndimit, nuk doli e saktë dhe vazhdon të më konsiderojë anti-evropian. Sa i përket Meros nuk kemi pasur ndonjë sherr, por as afërsi. Në vitet 90 ai ka punuar për mediat kosovare që kanë shpifur ose ekzagjeruar argumentet kundër meje, ato që përmenden edhe sot (babai komunist i nomenklaturës titiste, pro-serb sepse kam studiuar në Beograd etj. Mero më së shumti reagoi pse Rama angazhoi dike që për televizionin Klan dhe Sali Berishën realizoi sondazhet, që në vitin 2005 dolën të sakta, e më 2009 e 2011 tejkaluan marzhën e gabimit në parashikim, shprehet ai.

Mali sqaron edhe pse është prishur me televizionin Klan.

Me televizionin Klan u ndava keq në vitin 2011, sepse nuk pranoi publikimin e parashikimit të korrigjuar, ku gara mes Ramës dhe Bashës tregohej e nivelizuar, por u insistua që me grafika ta nxjerrim si fitues Bashën me përparësi bindëse. Unë kam menduar se do të jetë e mjaftueshme nëse e them gojarisht korrigjimin, se kampioni është i devijuar dhe duhet pritur garë shumë e ngushtë, ose edhe e përmbysur në favor të Ramës, çka edhe doli pas numërimit të parë. Kjo është e regjistruar në emisionin e Blendi Fevziut, mund të verifikohet lehtë. Por, të gjithë u kapën për grafikët e parashikimit të devijuar.

Për sa i përket njohjes me Ramën ai sqaron: Në vitet 90 kam qenë më i afërt me një grup intelektualësh rreth fondacionit Soros në Shqipëri, një kohë ata na u bashkuan në nxjerrjen e shtatë numrave të revistës MM që e botonim në Prishtinë. Është projekt i parë i tillë i përbashkët, në kushtet e vështira, kur i patëm kontrabanduar 500 ekzemplarë të revistës me varka nga ana e Liqenit të Shkodrës, ose i bartnim në sasi më të vogla përmes Maqedonisë me valixhe personale, për ta distribuuar në Shqipëri. Kurse miqësi më të ngushtë kisha me Ramën dhe Fatos Lubonjën, kur edhe ata të dy ishin të afërt. Vetëm se kur Rama filloi karrierën politike, Lubonja nuk e priti mirë ndryshimin dhe përshtatjen e Ramës me ambicien politike, që atij i dukeshin si tradhti e idealeve të aktivistit të shoqërisë civile. Me Lubonjën në atë kohë pata zhvilluar polemikë private përmes postës elektronike, ku unë e arsyetoja Ramën, kurse ai e kritikonte gjithnjë e më ashpër. Rama atëherë perceptohej si parashutist në politikë, një si kalorës i vetmuar që nuk mund të bëhet lider me përkrahje të gjerë. Ishte atipik, individualist, me shije të veçantë, cinik, por me një karizëm të një njeriu që ka vizion dhe sheh më larg dhe e bën ndryshimin. Ai kishte ide largpamëse edhe si ministër i Kulturës, por shkëlqeu si kryebashkiak, duke e transformuar Tiranën në mënyrën që nuk ia gjen krahasimin. Nuk ka qenë vetëm pastrim dhe pikturim fasadash i një çorodie dhe shëmtie të anarkisë që kërcënonte me urbanicid, por injektim i frymës së re që Ramën e bëri të pëlqyer dhe popullarizuar, shpresë e të gjithë atyre që ishin të lodhur nga konfliktualiteti i binomit Sali Berisha Fatos Nano… Rama i dha tranzicionit shqiptar një dimension të kreativitetit në politikë që hapte rrugët përtej karakterologjisë së politikanëve të tranzicionit që edhe ish-enveristët edhe anti-enveristët i shndërroi në kreatura pragmatiste dhe llomotiste, në neo-bizantinë që ushqehen vetëm me teori komploti dhe intriga, dhe mbahen në pushtet dhe opozitë jo me programe konkrete, por duke akuzuar dhe sulmuar tjetrin. Ky ishte binomi Berisha-Nano. Rama, edhe me mjete të politikës bizantine, sepse ndryshe sdo të realizohej, e mundi Nanon dhe tani edhe Berishën. Sot Rama promovon një program dhe ekip krejtësisht të ri. Kjo e ka rrezikun e vet, kafshët politike bizantine nuk e kuptojnë, por është përpjekje legjitime dhe me sharmin e ribërjes së skenës politike, gjë që duhet të reflektohet edhe nga demokratët e Bashës, nëse marrin mësime nga humbja e thellë e 23 qershorit.

Maliqi sqaron se propozimi i Ramës për postin e këshilltarit të rajonit ishte një konsultë e ndërmjetësuar nga Baton Haxhiu nëse do e pranonte një propozim të tillë, dhe nënvizon se asnjëherë nuk ka pasur kontakte me Berishën dhe Bashën.

Kam bërë sondazhe dhe për ta dhe për Metën dhe i kam prezantuar rezultatet. Ka qenë si puna e avokatit me klientin, pohon Maliqi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›