E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI mbush 9 vjet jetë/ Si u ngrit forca politike që u shkëput nga PS

meta ne shkoder9 vite më parë, më 6 shtator 2004, nga Partia Socialiste pas përplasjes së gjatë mes 2 liderëve kryesorë të kësaj force- atëkohë në qeverisje, Fatos Nano dhe Ilir Metës, lindi Lëvizja Socialiste për Integrim.

Projektit të Ilir Metës iu bashkuan një grup emrash të rëndësishëm, madje edhe themelues të PS-së si Sabit Brokaj, Pëllumb Xhufi, Petrit Vasili etj.

Të tjerë, u afruan, por edhe u larguan nga ky subjekt, përgjatë rrugëtimit politik plot me ulje-ngritje.

Sfida e parë elektorale ishte gara e 3 korrikut 2005. Ndarja e votave mes kandidatëve të PS e LSI besohet se u dha mandate në disa zona të pasigurta kandidatëve të PD-së, çka solli fitoren e së djathtës pas 8 vitesh në opozitë.

Në zgjedhjet e 3 korrikut 2005, LSI arriti të fitonte një mandat në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe 4 të tjera plotësuese, falë sistemit elektoral mazhoritar të korrektuar. Por ajo mbeti gjithsesi në opozitë.

Një ndër aksionet më të forta dhe të spikatura politike të LSI, ishte ai kundër 2 forcave të mëdha politike PS e PD, pas ndryshimeve kushtetuese të prillit 2008, ku ndryshoi edhe sistemi elektoral në proporcional rajonal.

Deputetët dhe kryetari i LSI-së Ilir Meta qëndruan për disa ditë në grevë urie brenda sallës së parlamentit.

Megjithatë në zgjedhjet e 29 qershorit 2009, LSI-ja doli me 4 mandate, të cilat rezultuan përcaktuese në krijimin e mazhorancës së re.

Për herë të parë në jetën politike të vendit, një forcë tipike e majtë pranoi të hynte në koalicion me një parti të djathtë. Marrëveshja mes PD e LSI u thye vetëm rreth 3 muaj para mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme të 23 qershorit 2013.

Rezultati i zgjedhjeve të fundit, natyrisht është më surprizuesi për LSI-në.

Kjo forcë politike, që ashtu si në ditën e parë të themelimit udhëhiqet ende nga Ilir Meta, arriti të siguronte 17 deputetë. Por njëkohësisht edhe rikthimin në aleancën qeverisëse të vendit.

LSI-ja do të ketë 5 poste ministrore dhe karrigen e kryetarit të Kuvendit, ku do të ulet drejtuesi historik i saj, Ilir Meta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›