E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDK sprovon kandidatët për Prishtinën

Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Prishtinë ka vendosur t’i sprovojë kandidatët e saj që pretendojnë të garojnë për asamblenë komunale të Prishtinës. Hiç më pak se 500 nënshkrime ua ka kërkuar secilit anëtar që dëshiron të jetë në listën kandiduese për Prishtinën. Sipas drejtuesve të degës së PDK-së në Prishtinë, kjo është bërë me qëllim të mobilizimit të anëtarësisë së PDK-së në kryeqytet.

Lumnije Rama është asambleiste e Partisë Demokratike të Kosovës në Kuvendin Komunal të Prishtinës. Në zgjedhjet e vitit 2009, asaj i kanë mjaftuar 127 vota për t’u bërë pjesë e asamblesë komunale.

Për të kandiduar për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit të këtij viti, Rama dhe të gjithë që duan të kandidojnë në listën e PDK-së për asamblenë komunale të Prishtinës, duhet t’i mbledhin 500 nënshkrime. Lumnije Rama, që është edhe nënkryetare e degës së PDK-së në Prishtinë, thotë se nuk e ka problem mbledhjen e nënshkrimeve.

“Jo edhe aq problem, por unë nuk tentoj që t’i bëjë deri në 500 ose 600 nënshkrime, por votuesit t’i kem stabil”, tha Rama.

Drejtuesit e degës së PDK-së në Prishtinë thonë se kjo është një iniciativë e re për mobilizimin e anëtarëve të rinj dhe për definimin e votuesve potencialë të PDK-së në kryeqytet. Kryetari i Degës së PDK-së në Prishtinë Lirak Çelaj tregon qëllimin e kësaj iniciative.

“Qëllimi është i thjeshtë, që lista të përbëhet prej njerëzve që kanë përkrahje prej votuesve dhe ne kemi kërkuar që secili që është i interesuar që ta marrë përkrahjen prej rrethit të vet së pari, pra të jetë një listë e cila përkon pak edhe me vullnetin e qytetarëve. Neve na ka ndodhë në të kaluarën që të kemi njerëz edhe me krejt pak vota, me 20-30 vota dhe mendojmë se kjo nuk është mirë as për kandidatin as për partinë”, tha Çelaj për Radio Kosovën.

Çelaj thotë se nga numri i nënshkrimeve do të bëhet edhe renditja e kandidatëve në listën kandiduese.

“Mund të jenë 500, mund të jenë më pak, ose më shumë, por numri do të ndihmojë pak a shumë në përcaktimin e renditjes në listë, po nuk është obligative pesëqindëshi”, tha ai.

Ndryshe, afati i fundit për dorëzimin e nënshkrimeve nga ana e të interesuarve për t’u kandiduar për asamblenë komunale të Prishtinës ka qenë e mërkura. Sa i përket kandidaturës për kryetar të Prishtinës, PDK-ja ende nuk ka vendosur për emrin me të cilin do të provojë të marrë pushtetin lokal në kryeqytet.  /RTK/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›