Shkëmbi: Me Zeqon president, titujt vijnë vetë në Korçë
Për Skënderbeun, ky vit që po lëmë pas, mund të quhet ndër më të suksesshmit e të gjitha kohërave, qysh në momentin që është themeluar ky klub. Themi këtë, pasi përveç titullit kampion, që ishte i dytir dhe që erdhi pas plot 78 vitesh, Skënderbeu është sërish edhe në sezonin e ri pretendent kryesor për fitimin e trofeut. Më mirë se kaq nuk mund të shkonte një vit si ky i 2011-ës, ndërkohë që këtë e shprehin futbollistët, stafi teknik, donatorët, por edhe sportdashësit.
Pa dyshim që një meritë të jashtëzakonshme te sukseset e këtij ekipi ka edhe kapiteni dhe lideri i kësaj skuadreje, Bledi Shkëmbi, futbollist që në gjysmën e parë është shpallur edhe golashënuesi më i mirë te Skënderbeu, me 5 gola të shënuar. Në prononcimin e tij të fundit për vitin 2011, për Sportin shqiptar, vetë Shkëmbi flet me nota më shumë se pozitive për skuadrën e tij, teksa do të deklaronte: Është e vërtetë që ky vit që po lëmë pas ka qenë me plot suksese për ne.
Kemi fituar titullin e dytë në historinë e Skënderbeut, pas plot 78 vitesh dhe i kemi bërë edhe një mbyllje dinjitoze fazës së parë të kësaj superlige, duke treguar se jemi sërish pretendentë kryesorë. Unë besoj dhe shpresoj se edhe mot, do ta fillojmë atje ku e lamë, me të tilla lojëra dhe rezultate. Nëse do të bëja një krahasim me Skënderbeun kampion dhe Skënderbeun e kësaj superlige, do të thoja që ky i tanishmi është vërtet më i fortë nga të gjitha anët.
Titujt kampionë, janë gjithmonë të vështirë për tu fituar dhe këtë e dimë mirë edhe në këtë moment, por ne do të bëjmë maksimumin tonë që edhe këtë sezon ta sjellim titullin në Korçë. Personalisht kam bërë dhe do të vijoj të jap maksimumin për skuadrës dhe këtë vit jam përpjekur të bëj më të mirën dhe sigurisht ndihem i kënaqur, pasi edhe frytet e punës kanë filluar të vijnë. Gjithmonë për një futbollist ka më mirë dhe kjo do të thotë që edhe vitin tjetër do të përpiqem të jap akoma më shumë.
Gjej rastin të falënderoj për titullin që morëm këtë vit, por edhe për fazën e parë mjaft të mirë që zhvilluam, të gjithë futbollistët, stafin drejtues dhe presidencën korçare me në krye presidentin Agim Zeqo. Jam plotësisht i bindur se me një president të tillë si Zeqo, edhe këtë sezon titulli do të vijë vetëm në Korçë dhe këtë do ta bëjmë realitet në fushën e lojës.
Ky Skënderbe po bind nga të gjitha anët, ka theksuar midis të tjerash fjalët e tij lideri i këtij Skënderbeu, Bledi Shkëmbi, një nga lojtarët që u shpall në qytetin juglindor, në fund të këtij viti edhe futbollisti më i mirë te kampionët.
Shkëmbi për të ardhmen
Kur e pyet Shkëmbin në lidhje me atë se në fushën e lojës, të jep përshtypjen se ndodhet në kohërat e veta më të mira, vetë lojtari të thotë: Nuk mund të them që jam në kohërat e mia më të mira, por e pranoj që po luaj me një skuadër me synime vërtet të mëdha dhe e thënë troç, me një skuadër të madhe si Skënderbeu. Të gjithë kanë merita të jashtëzakonshme ne fushë dhe nuk janë vetëm meritat e mia.
Nëse një skuadër luan mirë, dalin në pah vlerat e të gjithëve edhe një herë unë thjesht kam dhënë maksimumin tim dhe asgjë më shumë se kaq. Për sa i përket diferencës prej -9 pikësh që kemi në këtë moment, dua të them se realisht sot duhet të ishim -6 pikë, pasi mos harroni se ne kemi një ndeshje me pak ndaj Pogradecit, takim që do ta fitonim po të luhej dhe do ta fitojmë më 8 shkurt do të luhet.
Ky Skënderbeu ka ardhur në formë dhe ndërrimi i trajnerit pas javës së 4-t na bëri që të jepnim maksimumin në stërvitje dhe në ndeshje dhe, si rrjedhojë, erdhën edhe rezultatet. Gjithsesi, më mirë për të tjerat le tia lëmë kohës, ndërkohë që gjej rastin në këtë fundvit, që të uroj gjithë Skënderbeun gëzuar dhe një vit të mbarë, ndërkohë që nuk dua të haroj aspak edhe tifozët edhe ata i uroj në këto festa.
Pak më lart përmenda presidentin Zeqo, se me të titujt nuk do ti mungojnë këtij ekipi dhe të jeni të bindur që një president të tillë do ta dëshironte çdo ekip, por këtë fat e ka Skënderbeu. Qoftë 2012-a një vit sa më i mbarë për të gjithë, mbyll prononcimin e tij të fundit për gazetën në vitin që po lëmë pas kapiteni Bledi Shkëmbi, emblema e vetme e korçarëve tek ekipi i qytetit të tyre.