Shkëmbi kërcënon fshatin
• Një masiv shkëmbor kërcënon jetën e banorëve të fshatit Zëmblak në rrethin e Korçës.KORÇE/ JORGJETA GJANÇIMasivi është i vendosur në faqen e kodrës që ndodhet mbi fshat dhe si rezultat i proceseve natyrore ai ka filluar të lëvizë. Ekzistenca e tij është bërë kërcënuese për jetën e banorëve që kanë ngritur banesat e tyre vetëm 150 metra më poshtë. Rrokullisja e papritur, e cila mund të provokohet nga një lëkundje tërmeti, nga reshjet e shiut apo të dëborës do të kishte pasoja fatale për 2000 banorët e fshatit, veçanërisht të atyre që i kanë banesat nën masivin shkëmbor. Shumë herë banorët kanë kërkuar ndihmë nga shteti për t’i ndihmuar në shmangien e një katastrofe të mundshme. Ata kanë dërguar letra e kërkesa në instancat e pushtetit lokal dhe qendror, nëpërmjet të cilave kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për t’i shpëtuar nga ankthi i vazhdueshëm për rrezikun që i kërcënon. Prefektja e Korçës, Elfrida Zefi, në përgjigje të kërkesës së banorëve të Zëmblakut ka ngritur dje një grup pune të përbërë nga specialistë të Prefekturës dhe Qarkut për zgjidhjen e këtij problemi. Po dje, ky grup ka shkuar dhe ka parë rrezikun që u kanoset banorëve të fshatit dhe ka filluar punën për përcaktimin e masave konkrete për shmangien e tij. Mësohet se shpërbërja do të realizohet me mjete mekanike, me qëllim që të mos rrezikohet jeta e njerëzve. “Aktualisht, - ka pohuar Dhori Çekrezi, përgjegjësi i Zyrës së Emergjencave Civile në Prefekturën e Korçës, - komisioni i ngritur për këtë qëllim ka parë nga afër gjendjen e masivit shkëmbor, ndërsa ka dalë me një sërë masash paraprake dhe rekomandimet e nevojshme”. Sipas tij, masivi shkëmbor vitet e fundit ka pësuar lëvizje të ngadalta për shkak të ujërave që vijnë nga sipër tij, por edhe nga reshjet dhe ngricat e stinës së dimrit. “Shkëmbi ka lëvizur dhe ka dhënë shenjat se do të ketë rrokullisje të mëtejshme. Rreziku është evident”, theksoi Çekrezi. Dje ekspertët dhanë mendim rreth eliminimit të këtij masivi shkëmbor, proces që është shumë i vështirë. Kjo për faktin se shkërmoqja dhe heqja e tij është e shoqëruar me rrezikimin e banesave që ndodhen poshtë. Grupi i ekspertëve është shprehur se në një të ardhme të afërt do të ndërtohet një mur rrethues, duke krijuar kështu një bazament të fortë për të mundësuar copëtimin e masivit shkëmbor, mbi të cilin deri tani nuk ka pasur asnjë ndërhyrje teknike. Shkatërrimi i shkëmbit do të bëhet pjesë-pjesë, me mjete mekanike, duke mënjanuar kështu çdo lloj rreziku për banorët e Zëmblakut.