“The Wall Street Journal”: “Problemi serb”
E përditshmja amerikane “The Wall Street Journal” ka botuar një editorial me titull: “Problemi serb”, në të cilin, përveç të tjerash, vë në pah se pohimet e Beogradit që Kosova ka qenë pjesë e Serbisë janë gënjeshtra, sepse Kosova ishte pjesë e Jugosllavisë, e cila tashmë ka vdekur. Në këtë shkrim theksohet se Sllobodan Millosheviçi mbase është duke buzëqeshur në arkivolin e tij, duke iu referuar trazirave të fundit në veri të Kosovës dhe sulmeve në ambasadat e huaja në Beograd. Sikurse edhe në ditët e Millosheviçit, serbët janë mbërthyer së fundi në këtë valë zemërimi nga liderët e tyre. Synimet e Beogradit në fakt nuk janë edhe aq të qarta, shkruan “The Wall Street Journal”. Ministrat e qeverisë serbe janë duke udhëtuar në mbarë botën për të ndalur vendet e ndryshme që ta njohin pavarësinë e Kosovës me bindjen se një ditë do ta zhbëjnë këtë pavarësi. Moska dhe Pekini ndërkaq janë duke trimëruar Serbinë në këtë imagjinatë të sajën. Gazeta shkruan se liderët europianë dhe ata amerikanë duhet të përballen me sfidat politike që dalin nga serbët dhe aleatët e tyre në Moskë dhe në Pekin. Meqë Kosova i është bashkuar Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjës, Maqedonisë dhe Malit të Zi në rrugëtimin për pavarësinë, Serbia mëton të shfrytëzojë një argument intelektual duke thënë se është çështje sovraniteti, por në fakt, shkruan kjo gazetë amerikane, nuk është fare çështje sovraniteti, të paktën jo për Serbinë. Rezoluta e Këshillit të Sigurimit që vendosi misionin e OKB-së në Kosovë më 1999-n nuk e përmend fare fjalën Serbi, por Jugosllavi. E kjo e fundit vdiq me pavarësimin e Malit të Zi. Përveç mbështetjes ushtarake, mbështetja diplomatike dhe ekonomike do të jetë thelbësore për Kosovën, theksohet në këtë editorial, duke nënvizuar se banditët serbë nëpër rrugë dhe banditizmi serb nëpër sallonet ndërkombëtare diplomatike, megjithatë kanë arritur që në disa vende të krijohet hamendje për Kosovën. Por fatmirësisht, pothuajse çdo vend përreth Kosovës e ka përqafuar të ardhmen e ofruar në perëndim dhe Serbia në aspektin strategjik nuk është e rëndësishme.
22 Mars 2008