E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shkëmbi përpara ndeshjes me Dinamon: Dëmtime, mungesa dhe humbja me Teutën, asgjë nuk flet për Tiranën!

Abissnet Superiore ul siparin ditën e nesërme ku priten edhe verdiktet e fundit sa i përket fundit të tabelës së klasifikimit. Kështu ekipi i Tiranës do të ndeshet me Dinamo City në një sfidë, e cila transmetohet në RTSH 2 HD, ku tri pikët do të jetë jetike për bardheblutë nëse duan që të kenë ende shpresë që të sigurojnë qëndrimin në elitën e futbollit shqiptar.

Në prag të sfidës së nesërme, trajneri i bardhebluve Bledi Shkëmbi ka dalë në konferencë për shtyp dhe ka komentuar kështu situatën në kampin e tij: “Vijmë pas një humbje, ana psikologjike nuk është ajo më e mira edhe pse kemi mundur që të flasim gjatë gjithë javës. Vijmë nga një ndeshje që nuk e meritonim ta humbnim, por për fat të keq e humbëm dhe jemi para një fakti që kemi një finale dhe shpresoj shumë që të bëjmë më të mirën dhe të marrim 3 pikët. Nuk vijmë në më të mirën e mundshme, vijmë nga disa mungesa, vuajmë dëmtime dhe shpresoj që nesër të rikuperojmë sa më shumë që të jetë e mundur”.

Për teknikun korçar presioni është i gjithi nga ana e Tiranës. “Kemi presion dhe mendojmë që çfarë duhet të bëjmë për ta fituar këtë ndeshje dhe për tu qetësuar sado pak, e thash që nuk ka më kohë, asnjë mundësi rikuperimi, e thashë që duhet të bëjmë maksimumin tonë dhe shpresoj të kemi fatin me vete nesër. Kundërshtari ka folur në fushë çdo javë, e vlerësojmë maksimalisht, po kalon një moment të mirë, Dinamo është një skuadër që ne para një muaji kemi bërë një humbje 4-1 dhe mendoj që nuk e meritonim se në një pjesë të madhe, kemi bërë një ndeshje goxha të mirë, por nuk duhet të shikojmë kundërshtarin por veten. Kemi bërë ndeshje të mira, por i kemi humbur vetë, për fajin tonë dhe shpresoj që nesër të mos bëjmë gabime dhe të kemi edhe fat”, tha Shkëmbi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›