E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkëmbimet tregtare u rritën 18% në janar-shtator 2008



Shkëmbimet tregtare të Shqipërisë me botën gjatë periudhës janar– shtator të vitit 2008 shënuan një vlerë prej rreth 3.3 miliardë eurosh, duke qenë rreth 18% më të larta sesa në të njëjtën periudhë të vitit 2007, bëri të ditur Banka e Shqipërisë në raportin e publikuar sot “Mbi tregtinë e jashtme”. Sipas statistikave nga Banka Qendrore, shpenzimet për importin e mallrave shënuan vlerën 2,547 milionë euro, ndërkohë që të ardhurat nga eksporti i mallrave arritën në 708 milionë euro. Në raportin e saj, banka vëren se të ardhurat nga eksporti i mallrave kanë mbuluar rreth 28% të importeve, një raport ky i krahasueshëm me atë të vitit të kaluar. Ndërkohë që rritja vjetore e vlerës së importeve të mallrave shënoi 17%, një normë kjo e krahasueshme me atë të vitit të kaluar. Ndër faktorët që kanë ndikuar në rritjen e vlerës së importeve, Banka Qendrore vlerëson rritjen e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare. Sipas BSH-së, importi për përpunim aktiv ka shënuar një rritje vjetore prej 7% gjatë nëntë muajve të këtij viti, ndërkohë që pesha e kësaj kategorie importesh ndaj vlerës së përgjithshme të importeve është 12%.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›