E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Ora e Debatit", e majta fiton nëse bashkohet

Fitorja e zgjedhjeve të vitit 2009-të është një mundësi që Edi Rama mund ta diskutoje vetem nëse arrin të bashkoje në një koalicion të gjitha partitë e majta. Ky është konkluzioni që ka bashkuar të gjithë të ftuarit e emisionit "Ora e Debatit" pavarësisht nëse mbështesnin politikën e re të Ramës apo jo. Për drejtorin e tv Klan Andi Bejtja rezultatet e zgjedhjeve të 2005-ës dhe 2007-ës kanë treguar se PS-ë nuk fiton dot e vetme në zgjedhjet e qershorit të ardhshëm. Ndërkaq gjatë gjithë debatit është pranuar se tashmë e majta ka dy lider, Edi Ramën dhe Ilir Metën , të cilët deri më tani kanë arritur të gjejne gjuhën e përbashkët vetëm në një moment në zgjedhjet e shkurtit 2007-të. Përgjatë dy orëve 4 prej figurave me të shquara të medias dhe politikës kanë debatuar rreth politikës së re të Edi Ramës, drejtimit të PS-së, dhe mundësive që socialistët kanë për të fituar zgjedhjet në vitin 2009-të. Gjatë debatit u tha gjithashtu se se pas ndryshimeve në kodin zgjedhor liderët kanë forcë më të madhe pasi janë hartuesit dhe autorët e listave të zgjedhjeve. Në këtë këndvështrim, deputetët e majtë në Parlamentin e ardhshëm do të diktohen nga Edi Rama. Sa i përket dialogut me Shqipërinë nga kryesocialisti, mund të flitet për një monolog me Shqipërinë, pasi kasetat dërgohen të gatshme në media. Rama erdhi në pushtet si një njeri i medias, por tashmë nuk del më në debate publik. Agim Isaku, publicist, u shpreh se "Edi Rama është një kryetar i fortë, i sigurt në pozicionin që ka. Erdhi në pushtet me tezën e ndryshimit, por në fakt nuk e solli atë, pasi sot ai merr vendime pa u konsultuar me anëtarët e partisë, nuk solli pjesëmarrje, por përjashtim të tyre. Isaku e konsideroi "Dialogun me Shqipërinë", si dialog të dështuar, pasi numri i pjesëmarrësve realisht nuk mundëson debatin, por mitingun e radhës së PS-së. Ai tha se Rama prodhon politikë, por është i paaftë për të përballuar debatin. Andi Bejtja, analist dhe drejtor informacioni në tv Klan u shpreh se fakti që e forcon Ramën është se ai e mori vetë partinë, nuk ia dha njeri. Po ashtu edhe karakteri i tij dhe fitorja ndaj Nanos e sjell në këto kushte që është sot. Sipas Bejtjes "Rama nuk e bashkoi PS-në dhe nëse partia do jetë e ndarë do ta ketë shumë të vështirë të fitojë. Bejtja theksoi se me ardhjen e Ramës në krye, PS-ja është më e mbyllur nga ana demokratike pasi Rama në këtë moment po kërkon gjithçka ose asgjë. Analisti nënvizoi se fakti që militantët e PS- së nuk gjenden më para selisë tregon se ka rënë besimi ndaj liderit. "E majta e ka liderin e tij, por ai po sillet si lider i pavëmendshëm dhe nuk vlerëson si duhet ndarjen e së majtës". "Kemi një kryetar me dorë të fortë, dhe jo parti të fortë", deklaroi Ilva Tare, gazetare. Sipas Tares, ndryshe nga fjalimi i parë pasi u zgjodh si kyetar, mund të themi se nuk është Partia Socialiste e bashkëpunimit, por partia e Ramës. "Mendoj se ka një frymë jashtë kontrolli të Ramës nga PS-ja. Unë e konsideroj Ramën orator të mirë, por që nuk po jep asgjë konkrete.", u shpreh ajo. Ilva Tare tha se Rama dinte të bënte lajm në fillimet e tij nga ana mediatike. "Tashmë mund të themi se mediat që përkrahin Ramën jo thjesht e mbështesin atë, por urdhërohen nga Edi Rama. Fakti që e majta ka dy liderë, pra Ramën dhe Metën doli që në zgjedhjet 2005, dhe nëse zgjedhjet do i fitojë PD-ja, kjo do jetë një fitore më shumë e Berishës ndaj këtyre dy liderëve.", shtoi Tare. Blendi Gonxhe, ish nënkryetar i Bashkisë tha se Rama e ka fituar vetë PS-në. "PS- kishte nevojë për një drejtim të ri sepse ishte e përçarë, ndaj Rama shkoi për të hapur dhe unifikuar partinë që të mos iknin persona nga e majta. Por në fakt, me situatën që paraqitet sot e majta mund të themi se realisht ai e përçau të majtën. "Ajo çka na nevojitet neve sot, është që politika në përgjithësi të na garantojë tranparencën. Nano ka ndihmuar të majtën duke mos ndërhyrë në jetën politike", tha Gonxhe. Dardan Malaj, reporter i partive të majta në gazetën "Shqip" u shpreh se "Zgjedhja e Edi Ramës ishte më e mira në atë kohë. Rama erdhi në krye të PS-së edhe pse ishte jashtë parlamentit. Pjesëmarrja në zgjedhje ka ardhur në rënie, ndaj shpresat për të fituar PS-ja varen tek të pavendosurit dhe për këtë, Ramën do ta ndihmojë "Dialogu me Shqipërinë", u shpreh Malaj. Denion Ndrenika, zv/kryeredaktor i gazetës "Korrieri" nënvizoi se "Nuk mund të varen shpresat tek një lider që kërkon ndryshim, por nuk po bën diçka konkrete. Nuk besoj në retorikën e tij të dialogut. Jam i bindur se ai do të përpiqet të fitojë në 2009-ën pa u interesuar se çfarë ndodh me të tjerët, pavarësisht kushteve dhe metodave",theksoi Ndrenika. Në sondazhin e zhvilluar nga emisioni "Ora e Debatit", me pyetjen nëse Partia Socialiste do të fitojë e vetme zgjedhjet e ardhshme 32.8% e votuesve votuan pro dhe 67.2% kundër.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›