E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bumçi: Jo Ina, por Edi Rama kryeprokuror



“Rama, deri në palcë e manipuluar nga Edi”

“Synohet edhe goditja ndaj diplomacisë shqiptare”

Partia Demokratike kritikon ashpër mënyrën e drejtimit të organit të akuzës nga kryeprokurorja Ina Rama që, sipas saj, është e manipuluar deri në palcë nga kryesocialisti Edi Rama. Duke iu referuar sërish hetimit të rrugës Durrës-Kukës dhe sulmeve ndaj ish-ministrit të Transporteve, Lulzim Basha, PD-ja akuzoi dje se Ina Rama po përdoret deri në atë pikë, saqë Edi Rama është shndërruar në kryeprokuror të vendit. Në gjykimin e demokratëve, me këtë hetim po tentohet dhe goditja e diplomacisë shqiptare e cila kohët e fundit ka qenë rezultative për shumë çështje kyçe, si për ato kombëtare, por dhe të stabilitetit dhe paqen në rajon. Deputeti i PD-së, Aldo Bumçi, evidentoi se pasi nxit procesin e padrejtë të hetimit ndaj z. Basha, kërkon edhe shkarkimin e tij nga posti i shefit të diplomacisë shqiptare. Z. Bumçi e cilësoi si shqetësues faktin që sulmet e socialistëve vijnë në kohën kur aktiviteti diplomatik dhe performanca e z. Basha janë në nivelet më të larta. Kundrejt këtij fakti zëdhënësi i grupit parlamentar të PD-së, Aldo Bumçi, shprehu mbështetjen e plotë ndaj ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, duke theksuar se "ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës është përgjigja më e mirë ndaj akuzave të Edi Ramës". Z. Bumçi vuri në dukje se "pas një sërë takimesh të suksesshme të z. Basha me drejtues të diplomacisë botërore në Bruksel, Helsinki, Oslo etj., Rama i përgjigjet me thirrjen e tij dëshpëruese për dorëheqje nga detyra e ministrit të Jashtëm. Me gjithë këtë qëndrim, Edi Rama veçse faktohet si kryeprokurori politik i vendit që ka manipuluar gjer në palcë institucionin e akuzës dhe që pas dështimeve të njëpasnjëshme në këtë proces manipulimi, përsërit në mënyrë të përditshme kërkesën për largimin e z. Basha nga Ministria e Jashtme", - deklaroi z. Aldo Bumçi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›