Shkëmbimi i spiunëve me Rusinë, u vendos para arrestimit të tyre
Dalin në dritë fakte të reja mbi shkëmbimin e spiunëve mes Rusisë dhe SHBA-së, që u zhvillua dy ditë më parë në aeroportin e Vjenës.
Sipas asaj që raporton shtypi amerikan, vendimi për këtë lloj marrëveshjeje me Moskën u mor nga Shtëpia e Bardhë shumë javë më përpara arrestimit të 10 agjentëve të ndodhur më 27 qershor.
Për gazetat e famshme, “New York Times” dhe “Washington Post”, që citojnë burime anonime të administratës Obama, Presidenti u informua që më 11 qershor për rezultatet e këtij hetimi 10-vjeçar mbi rrjetin e spiunazhit. Në atë rast, CIA, FBI dhe departamenti i drejtësisë i referojnë Presidentit planet për arrestimet, si do të vazhdonin më tej të gjitha proceset dhe që atëherë nisi të flitej për një shkëmbim spiunësh. Me pak fjalë, SHBA do të linte të lirë dhjetë rusët, ndërsa Moska do të kthente katër qytetarët që mbaheshin në burg në Rusi, edhe ata të akuzuar për spiunazh. Pas shkëmbimit të spiunëve në stilin e luftës së ftohtë në aeroportin e Vjenës, avioni rus u ul në aeroportin Domodedovo të Moskës, ku dy autobusë transferuan spiunët, mes të cilëve edhe bukuroshja Anna Chapman, në një lokalitet të panjohur. Në Rusi lajmi i shkëmbimit u shfaq menjëherë nga televizionet dhe gazetat. Ndërkohë çarteri amerikan i "Vision Airlines" ndaloi në bazën ushtarake britanike të Brize Norton, në Oxfordshire, ku mendohet se ka zbritur të paktën një prej katër agjentëve, rusi Igor Sutyagin, që sipas familjarëve do të transferohej në hotelin e një qyteze të vogël në afërsi të Londrës. Avioni më pas u nis për në aeroportin e Dulles, në Uashington. CIA, kreu i të cilës, Leon Panetta, udhëhoqi tratativat me homologun e inteligjencës ruse, Mikhail Fradkov, e konsideron shkëmbimin një sukses. Ashtu siç ka deklaruar ish-agjenti Peter Earnest, “u dërguam një mesazh të fuqishëm atyre që punojnë për ne. Edhe pas shumë vitesh nuk do t’i braktisim, jemi besnikë”. Përveç Sutyagin, spiunët e tjerë të falur nga Presidenti rus, Dmitry Medvedev, janë Alexander Zaporozhsky, ish-koloneli i shërbimit të inteligjencës që ndihmoi CIA-n të çmaskojë një numër të madh agjentësh rusë, mes të cilëve superspiunë si Aldrich Ames, Robert Hanssen, Alexander Sypachev dhe Sergei Skripal, dy ish-kolonelë që u kanë shitur shërbimeve amerikane shërbime të rëndësishme ushtarake. Agjentët do të pyeten nga CIA për një "debriefing" që mund të zgjasë shumë muaj, para se të riintegrohen në shoqërinë amerikane me një identitet të ri dhe një asistencë financiare. Për sa u përket rusëve, ata jetonin dhe punonin qetësisht në Shtetet e Bashkuara për vite me radhë, ndërkohë që në shërbim të spiunazhit rus grumbullonin informata mbi armët dhe politikën bërthamore amerikane. Ata ishin agjentë sekretë të Rusisë, të cilët jetonin në SHBA që nga mesi i viteve ‘90, duke pretenduar se ishin qytetarë amerikanë.