E Diel, 1 Nëntor 2026

Srebrenica përkujton sot masakrën mizore të serbëve

15 vjet më parë, Europa u përball me një nga ngjarjet më të dhimbshme të historisë së saj

Si sot 15 vjet më parë, Europa u përball me një nga historitë më të dhimbshme që nga krijimi i saj. Mes 11 dhe 18 korrikut të vitit 1995, gjatë luftës së Bosnjë-Hercegovinës u krye masakra e Srebrenicës, që u mori jetën 8300 personave sipas shifrave zyrtare. Por ende mendohet se numri i tyre është rreth dhjetë mijë. Në ato ditë, trupat serbo-boshnjake, me urdhër të gjeneralit Mlladiç, hynë në qytetin e Srebrenicës, një zonë e mbrojtur nga trupat e Kombeve të Bashkuara, duke masakruar popullsinë myslimane.

Ata përzgjodhën burra dhe të rinj myslimanë në moshën 18 deri në 80 vjeç dhe më pas i vranë. Ushtarët e OKB-së, në mbrojtjen e të cilëve civilët e paarmatosur shpresonin, e panë këtë skenë, por nuk mundën të ndërhynin. Masakra kundër burrave myslimanë në Srebrenicë në vitin 1995 është gjenocidi më i rëndë i ndodhur në Europë pas Luftës së Dytë Botërore. Kur serbo-boshnjakët hynë në qytet, më shumë se 40 mijë banorë u drejtuan për në bazën e OKB-së në Potoçari. Rreth 7000 persona arritën të hynin në zonën e kësaj baze ku gjendeshin dhjetëra kaska blu holandeze që duhej të ruanin qytetin, i cili ishte shpallur nga OKB zonë e mbrojtur Të tjerë u arratisën nëpër pyje. Me ardhjen e serbo-boshnjakëve, kaskat blu nuk ndërhynë, ndërsa Malldiç ndau burrat nga gratë dhe fëmijët, që më vonë u deportuan. Burrat u rrasën nëpër depo, shkolla dhe haure bagëtish në zonën jashtë Srebrenicës, pastaj u pushkatuan dhe u hodhën nëpër varre masive. Vitet e fundit, nga 275 varret masive në luginën e Drinit, lumi që ndan kufirin serbo-boshnjak, u rivarrosën kufomat e 8372 viktimave të masakrës së Srebrenicës, por vetëm 6557 syresh u identifikuan. Kjo nuk është shifra e fundit e civilëve të vrarë boshnjakë, ku shumë konsiderohen ende të humbur dhe priten të identifikohen me anë të analizave të ADN-së. çdo vit në këtë përvjetor, qindra trupa rivarrosen në Qendrën Përkujtimore të Potoçarit. Këtë vit numri i tyre ishte 731. Manfred Eisele, gjeneralmajor i Këmbësorisë së Bundesverit, që përgatiti misionet e paqes së OKB-së nga viti 1994-1998, thotë se është e vështirë ta zbardhësh tërësisht këtë tragjedi. Rolin e shteteve europiane në konfliktin jugosllav dhe në Luftën e Bosnjës ai e sheh të bazuar në determinizmin historik: "Konfliktet në Ballkan, së paku që nga fillimi i shekullit XX, kanë luajtur një rol të rëndësishëm në kryeqytetet europiane. Ngjarja në këto kryeqytete në vitin 1995, në pjesën më të madhe u analizua mbi bazën e pozicioneve që këto vende kishin marrë që në vitin 1914". Gjenerali Eisele shpreh dyshime për aktorët përgjegjës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që të kenë pasur forcën dhe qëllimin t'i mbronin të 40000 civilët myslimanë në zonën e Srebrenicës. Këtë e mbështesin edhe hulumtimet e fundit të gazetarit holandez, Huub Jaspers. Nga to del që superfuqitë në KS kishin informata për planet serbe që para masakrës. Për gjenocidin në Srebrenicë bëhet sot përgjegjëse edhe qeveria holandeze. Kur përgjegjësit atëherë propozuan goditjen e forcave serbe nga ajri, Holanda kundërshtoi dhe ia doli mbanë. OKB nuk sulmoi, masakra ndodhi. Holanda kishte frikë për fatin e 450 ushtarëve të saj të stacionuar atje për mbrojtjen e enklavës. Ndërkohë, Srebrenica është gati "e pastruar etnikisht", aty jetojnë 3-5 për qind myslimanë, shumica gra në kërkim të të afërmve. Kërkimi për viktimat vazhdon me hapa të ngadaltë. Në 11 korrik 2010 do të varrosen në Potoçar një grup tjetër viktimash, edhe 731 kufoma të identifikuara.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›