Shkenca, Inovacioni e Teknologjia si kolona
Në Shqipëri po bëjmë shkencë, po arrijmë inovacion dhe njëkohësisht po zhvillojmë teknologjinë e informacionit dhe komunikimit. Përveç shqiptarëve që u thuhet përditë nga shumica e televizioneve dhe gazetave, këtë mund ta kuptojë secili prej miliona turistëve të huaj, teksa lexon emrat e vendosur në ballë të dy prej ministrive tona në dietë. Ministria e Myqerem Tafajt mbulon Arsimin dhe Shkencën bashkë, ndërsa vetëm një ministri, ajo e Genc Pollos, ka barrën e rëndë që të menaxhojë edhe Inovacionin, edhe Teknologjitë e Informacionit dhe Komunikimit. Me kërkimin hapësinor apo nanoteknologjinë nuk po merret ende zyrtarisht asnjë ministri, pavarësisht se na thonë se jemi në moshën e internetit. Na thuhet se kemi rritje ekonomike që vetëm qeveria arrin ta parashikojë pasi të tjerët ia fusin kot. Kemi edhe plot universitete publike e private, që kanë aq shumë studentë sa godinat e tyre flirtojnë dita-ditës me shembjen nga pesha. Në këto kushte rrezikojmë, që Kina tia kalojë Shqipërisë dhe ta dërgojë kinezin e parë në Hënë përpara se shteti ynë të ketë shpallur fituesin e tenderit për të çuar atje shqiptarin.
Duke gjykuar nga shifrat dhe arritjet e trumbetuara brenda e jashtë vendit nga kryeministri i këtij vendi, Shqipëria nuk i ka ndier fare pasojat e krizës financiare botërore, sepse nuk ndalet në rritjen ekonomike në një kohë që ekonomia ka futur marshin indietro në vendet e tjera. Kësisoj është krejt normale, që ambiciet, objektivat dhe premtimet e shtetit tonë të marrin përmasa më globale. Se si mund ta kuptojë një investitor i huaj kombinimin e fjalëve superfuqi dhe e vogël në sektorin energjetik, kjo mbetet për tu deshifruar nga pajisjet e shërbimeve inteligjente. Ama është fakt se Shqipëria po përjeton një rritje ekonomike aq të madhe, saqë as FMN-ja apo Banka Botërore nuk arrin ta parashikojë saktësisht në këto vitet e fundit. Për të gjitha këto arsye është normale, që ministritë tona të merren me zhvillimin e shkencës, inovacionit dhe teknologjisë.
Myqerem Tafaj drejton prej disa vitesh Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (www.mash.gov.al), dikasterin që kujdeset drejtpërdrejt për të ardhmen e fëmijëve tanë dhe për menaxhimin e shkencës së prodhuar në vend. Arritjet e kësaj ministrie janë ndër më mbresëlënëset krahasuar me vendet e tjera anëtare të NATO-s: në çdo 10 shqiptarë, 25 janë studentë dhe kryesisht për juridik. Çdo shkolle të republikës, edhe atyre nëpër çuka, kodra, brinja e gërxhe ku nuk ka xhama, dyer, çati apo mësues të kualifikuar, pretendohet se i është shtrirë kabulli i internetit. Tekstet mësimore komuniste në shkolla e universitete po ndryshohen gradualisht me tekstet e reja pëdëiste, ku flitet për luftë civile dhe jo luftë ndaj gjermanit në 1944, për kryengritje komuniste në 1997 apo për luftë të paparë antikorrupsion pas vitit 2005. Monopoli i rrezikshëm arsimor i universiteteve publike është luftuar fort, duke favorizuar universitetet private, të cilat përveç mijëra eurove që marrin nga të ngelurit pa shkollë publike, do të ndihmohen me lek taksapaguesish prej qeverisë. Shumë fëmijë nevojtarë, por jashtëzakonisht inteligjentë e të përgatitur të nomenklaturës politike, familjare e shoqërore mbështeten financiarisht nga Fondi i Ekselencës, për të studiuar në 15 universitetet më të mira të botës. Çdo i interesuar mund të paguajë nën dorë një nga tarifat e përcaktuara sipas qytetit e fshatit dhe të bëhet mësues, drejtor shkolle apo drejtor i drejtorisë arsimore. Kjo tarifë nuk aplikohet për ata, që votojnë blu bashkë me familjen e farefisin. Të gjitha këto arritje dhe shumë të tjera janë vetëm në Arsim.
Është gabim të mendohet, që Ministria e Inovacionit dhe Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit u shpik vetëm për ti dhënë Genc Pollos një post me rrogë ministrore. Ajo nuk u krijua as sa për të dhënë koncesione për të vendosur, instaluar dhe menaxhuar infrastrukturën e Rrjetit Kombëtar me Brez të gjerë (REKAB) në Republikën e Shqipërisë (www.mitik.gov.al). Përveç marrëveshjeve tregtare të lidhura me kompanitë prodhuese të inovacionit dhe teknologjisë dhe konferencave përgjatë bulevardit Dëshmorët e Kombit, MITIK-u po përpiqet të mos bjerë viktimë e spiunazhit industrial ashtu si SHBA-ja apo Mbretëria e Bashkuar. Për këtë arsye, ky institucion i ka bërë krejtësisht të padukshme arritjet e tij. Të njëjtën metodë me locion, që funksionon me lyerje tri herë në ditë pas buke, po e përdor me shumë sukses edhe MASH-i për të bërë të padukshme arritjet e këtij dikasteri në sektorin e Shkencës. Si vend anëtar i NATO-s dhe kandidat i përjetshëm për anëtarësim në BE, Shqipëria ka detyrimin që me risitë e saj të ndihmojë edhe aleatët amerikanë, britanikë, gjermanë, francezë e të tjerë.
Këto janë vetëm disa prej arsyeve, për të cilat shqiptarët duhet të ndihen krenarë dhe mirënjohës ndaj qeverisjes së makinerisë shtetërore të këtij vendi, ku shqiponjat përdoren si shënjestër për të provuar aftësitë e të shtënit me Kallashnikov. Për rrjedhojë, asnjë nënshtetas shqiptar nuk duhet të ndihet keq apo të ofendohet kur dogana greke na e bën kilometrike radhën e njerëzve që presin për të kaluar kufirin me pasaportë biometrike në epokën e vizave të liberalizuara. Bashkimi Europian sna e jep që sna e jep statusin e vendit kandidat për anëtarësim. NATO-ja na kujton spiunë dhe na kalon vetëm informacione të dorës së tretë. Ama të huajt e kanë vetëm nga inati e zilia, se nuk kanë kalaqafë qeveritarët shqiptarë që premtojnë Hënën në vend që të kërkojnë ekspertizë të huaj për të bërë ligje kundër shtimit të vetëvrasjeve me shkak depresionin nga kushtet e rënda ekonomike.
