E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkëndija e do Sokolin

Skuadra e KEK-ut mund të mbetet pa trajnerin Bylbyl Sokoli. Ky i fundit ka gjasa që gjatë dimrit të përfundojë aventurën e tij te klubi “elektricist’, të cilin e riktheu në Superligë.

Destinacioni i radhës i Sokolit, mund të jetë Tetova, respektivisht skuadra e Shkëndijës. Drejtuesit e kësaj të fundit janë të interesuar që në krye të ekipit ta rikthejnë Sokolin, i cili më herët kishte drejtuar ekipin tetovar.

Burimet e gazetës Express, të dielën kanë bërë të ditur se ish-trajneri i 2 Korrikut, Besianës, Dritës e Kosovës (P), ka marrë një ofertë serioze nga Shkëndija e Tetovës, skuadër kjo që aktualisht garon në Ligën e dytë të Maqedonisë.

Në anë tjetër, Sokoli, preferon që ta përfundojë sezonin me KEK’un, edhe pse në adresë të tij kanë ardhur disa oferta.

“Është e vërtetë se kam marrë disa oferta të cilat jam duke i shqyrtuar me kujdes. Por, unë mendoj që më mirë do të ishte që ta përfundoj këtë kampionat me KEK-un, e më pas të vendos për të ardhmen time. Megjithatë, ofertat jam duke i shqyrtuar dhe nuk e përjashtoj asnjë mundësi, as të kalimit tim eventual në ndonjë klub tjetër, por as atë që të mbes në KEK”, deklaroi Sokoli për Express.

Për Sokolin, futbolli maqedonas nuk është i panjohur, sepse në të kaluarën ai i ka udhëhequr disa skuadra të shtetit fqinj. Së fundmi ai e pati drejtuar Milanon e Kumanovës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›