E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, 108 shtëpi dhe 5350 ha nën ujë

PËRMBYTJET/ Gjatë ditës së djeshme në hidrocentralin e Vaut të Dejës u hap katër metra edhe një prej portave ballore të tij

Uji ka qenë i pranishëm dhe në aksin Shkodër-Tiranë, tek Harku i Berdicës. Probleme në shumë komuna


SHKODËR - Hapja e portave të shkarkimit të ujërave të tepërta edhe në hidrocentralin e Fierzës ka sjellë rritje të sasisë së shkarkimeve në dy hidrocentralet e tjera. Mëngjezin e së ejtes , në hidrocentralin e Vut të Dejës është hapur me katër metër një prej portave ballore të tij ose siç njihen, portat e Qyrsaqit.


Kjo ka sjellë vërshim të madh ujërash në zonën e Nënshkodrës dhe për disa orë të paradites së të enjtes uji ka qenë i pranishëm dhe në aksin rrugor nacional Shkodër-Tiranë, tek harku i Berdicës. Megjithatë mjetet kanë mundur të lëvizin në këtë aks, ndërsa mjetet e vogla kanë ndeshur vështirësi për lëvizje tek fillimi i rrugës Harku i Berdicës- Velipojë.


Uji ka mbuluar për disa orë të paradites së të enjtes dhe rrugët e Bahçallëkut e Ajasmës, ndërsa rreth orëve të drekës, si pasojë dhe e uljes së prurjeve, uji ka rënë ndjeshëm dhe aksi rrugor Shkodër- Tiranë në mesditë ka qenë plotësisht i lirë.


Derdhja e ujërave nga liqenet e hidrocentraleve ka sjellë përmbytjen e disa banesave dhe tokave bujqësore. Aktualisht janë nën ujë 5350 ha tokë, 108 shtëpi, ndërsa 723 banesa të tjera janë të rrethuara nga uji.


Në fshatin Daragjat të komunës Dajç, ushtria së bashlku me banorët po punojnë për përforcimin e argjinaturës, ndërsa në Bërdicë po ngrihet kampingu me 20 çadra në funksion të Komunës Dajç, për të strehuar aty bagëti dhe banorë që do të evakuohen.


Vazhdojnë punimet në fshatin Ashtë të komunës Bushat për përforcimin me mjete inerte me qëllim ruajtjen nga dëmtimi të 10 shtëpive që mund të rrezikohen nga shembjet për shkak të gërryerjeve nga lumi Drin. Në fshatrat Shirq, Daragjat e Dajç janë vënë në dispozicion të banorëve forca dhe mjete për evakuimin e komunitetit.


Edhe në komunën Ana e Malit forca dhe mjete të ushtrisë janë vënë në dispozicion për evakuimin e komunitetit në fshatin Obot, i cili është i izoluar nga uji, si dhe janë dërguar thasë me rërë për përforcimin e pritave në fshatin Gorricë.


Nga Drejtoria Rajonale e Arsimit Shkodër janë mbyllur shkollat në komunat Ana e Malit, Dajç, Guri i Zi (shkollat në fshatrat Vukatanë, Kuç, lagjen Ajasëm (Bashkia Shkodër) deri në një urdhër të dytë.


Ndër zonat e përmbytura, komuna Dajç ka 1600 ha tokë, 35 banesa dhe 150 të tjera të rrethuara nga uji. Këtu rruga hyrëse kalohet vetëm me mjete të rënda. Në komunën Berdicë dhe atë të Anës së Malit janë nga 1000 ha tokë e mbuluar nga uji, ku në Anën e Malit janë 15 shtëpi të përmbytura dhe 165 të rrethuara nga uji në fshatin Obot.


Në komunat Velipojë e Bushat ka nga 700 ha tokë të përmbytur, ku në Velipojë janë 53 banesa me ujë dhe 150 të rrethuara nga uji, në qytetin e Shkodrës janë 5 shtëpi të përmbytura dhe 27 të rrethuara nga uji.


Të dhënat zyrtare

Nr Njësia vendore Tokë e përmbytur Shtëpi të përmbytura Shtëpi të rrethuara nga uji

1 B. Shkodër 50 ha 5 27
2 K. Dajç 1600 ha 35 150
3 K. Ana Malit 1000 ha 15 165
4 K. Velipojë 700 ha 53 150
5 K. Bërdicë 1000 ha 71
7 K. Bushat 700 ha 30
8 K. Guri Zi 300 ha 130
9 Gjithsej 5350 ha 108 shtëpi 723 shtëpi

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›