Durrës, shemben masive dheu, 74 shtëpive u dalin themelet

Mbi 2000 metër kub dhera kanë bërë që shumë banesa e biznese të jenë të rrezikuara nga këto rrëshqitje
DURRËS - Në orët e para të ditës së djeshme janë vënë re rrëshqitje të reja dherash masive në zonën e Kodër Vilës, si dhe në Currila. Mbi 2000 metër kub dhera kanë bërë që shumë banesa dhe biznese të jenë të rrezikuara nga këto rrëshqitje, të cilat janë shoqëruar me shkulje masive pemësh, si dhe me shkatërrimin e shumë objekteve që kanë aktivitet biznesi në zonën bregdetare të Currilave.
Njëra korsi e rrugës është bllokuar tërësisht dhe mjete janë kthyer mbrapsht pasi bllokimi ka qenë masiv. Rrëshqitjet kanë shkaktuar edhe dëmtime në linjat e tensionit duke ndërprerë rrymën elektrike për banorët e strehuar në ish-banesat e plazhit të Currilave, si dhe në lokalet e zonës.
Gjatë gjithë paradites kanë punuar mjete të komunales së plazhit për ta normalizuar gjendjen, por rrëshqitjet kanë qenë të vazhdueshme, të ndihmuara dhe nga shirat e lehta që kanë rënë. Rrëshqitje të reja ka pasur edhe në Kodër Vilë ku shumë banesa janë në prag të rëshqitjeve.
Rruga që kalon në afërsi të Vilës ka ceduar duke mbetur vetëm në një përmasë 2-metërshe, dhe kjo në gjendje degradimi të mëtejshme. Një javë më parë banorët e Kodër Vilës protestuan duke akuzuar politikanët e forcave politike për indiferencë ndaj gjendjes dramatike ku ndodhen.
Ndërprerja e kësaj rruge, deklaruan ata, shkëput rreth 700 banorë nga lidhja e vetme me qytetin. Ndërkohë, në Këshillin Bashkiak u shtrua problemi i ndërhyrjeve emergjente në këto zona, si dhe mbi dy kolektorë që janë mbushur dhe shkaktojnë përmbytje.
Kreu i ALUIZNI-t për Qarkun e Durrësit, Andi Lila, ka kërkuar ndërhyrje urgjente dhe përcaktim fondesh për të shpëtuar nga katastrofa rreth 12 biznese në bregdet dhe rreth 74 banesa në Kodër Vilë, të cilave u kanë dalë themelet nga rrëshqitja e dherave.
Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, ka deklaruar se në planin rregullues të Durrësit është parë mundësia e përfshirjes në projektbuxhet edhe stabilizimi përfundimtar i kësaj zone.