Shkodër, 120 mijë banorë pa ujë që të shtunën
SHKODËR Një defekt i rëndë në sistemin e furnizimit me energji elektrike ka bërë që mbi 120 mijë banorë të Shkodrës, nga mëngjesi i ditës së djeshme të mbeten pa ujë të pijshëm. Burime për "Gazeta Shqiptare" pranë Drejtorisë së Ujësjellësit, pohojnë se me gjithë angazhimin e tyre dhe të grupit të riparimit të avarive të filialit lokal të KESH-it, deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme nuk është mundur që të gjendet avaria. "Po punohet me forcat dhe mjetet në dispozicion deri në gjetjen e defektit dhe riparimin e shpejtë të tij, në mënyrë që qytetit e rrethinave t'u kthehet uji nëpër shtëpitë e tyre", - pohojnë burimet e mësipërme.
AVARIA
Specialistët pohojnë se defekti ka ndodhur gjatë orëve të para të mëngjesit, në linjën 20 kw të kabllit që furnizon me energji elektrike stacionin e pompave të ujit në Dibrac, por ende nuk është saktësuar vendi i defektit. Pothuajse të gjithë drejtuesit e KESH-it janë vënë në lëvizje për të gjetur defektin, me qëllim riparimin dhe sjelljen e ujit të pijshëm në shtëpitë e qytetarëve. Drejtori i Ujësjellësit të Shkodrës, Engjëll Gjondrekaj shprehet se defekti ka të bëjë me një plasje të kabllit nëntokësor, që është i gjatë rreth 4 km dhe ka vështirësi teknike specifike për identifikim. "I gjithë rrjeti duhet kontrolluar me pajisje speciale pa hapur tokën, me qëllim gjetjen e vendit ku ka plasur kablli. Por, kjo kërkon kohë. Defekti ka ndodhur rreth orës 3 të mëngjesit, por qyteti ka pasur edhe për pak ore më pas, përkatësisht deri në orën 07.00 të mëngjesit, ujë të pijshëm. Sipas drejtuesve të Ujësjellësit, sigurimi dhe për 4 orë pas defektit i furnizimit me ujë të pijshëm të banorëve të qytetit e rrethinave, u arrit me vënien në punë të rezervuarit të Tepes. "Menjëherë pas ndërprerjes së punës në stacionin e pompimit si pasojë e defektit në rrjetin elektrik, vumë në funksion rezervuarin e Tepes, me shpresën e gjetjes sa më shpejt te avarisë", - shtojnë burimet e mësipërme.
SITUATA
Gjondrekaj pohon se është periudhë festash, ndaj dhe uji i rezervuarit të Tepes ka mbaruar në një kohë tepër të shkurtër, ndryshe nga konsumimi normal i përditshëm. "Ka pasur shumë konsum uji, pasi ka qenë natë feste për besimtarët e krishterë që kanë festuar Shën Kollin. Ndërkohë, dhe besimtarët myslimanë janë në përgatitjet për festën e Bajramit. Gjithsesi, ne po përpiqemi që të normalizojmë sa më shpejt situatën", - shton ai. Mungesa e ujit të pijshëm për një kohë të gjatë, është shoqëruar jo vetëm me vështirësi tek mijëra konsumatorë, por dhe me shqetësim. Kjo për faktin se në disa zona, veçanërisht në ato periferike, vazhdon të konsumohet dhe ujë i puseve, që përgjithësisht nuk i është nënshtruar analizave laboratorike për pirje. Në këtë situatë, qytetarëve shkodranë u është dashur të blejnë ujin e pijshëm nëpër pikat e shitjes. Por domosdoshmëria për ujë, si për gatim e nevoja të tjera të jetesës së përditshme, u ndje masivisht, veçanërisht në orët e pasdites së djeshme.
Drejtoria e Shëndetit Publik u ka bërë thirrje banorëve që të kenë kujdes me ujin që do të përdorin, në raste kur shfrytëzohen puset. "Kjo është rreptësisht e domosdoshme, pasi uji i puseve nuk është përdorur për një kohë të gjatë dhe për këtë shkak, paraqet rrezik për njerëzit; qoftë nga përdorimi për pirje, ashtu dhe nga përdorimi për gatim", - bëjnë apel specialistët e Shëndetit Publik.
Mësohet se nuk është hera e parë që në Shkodër ndodhin defekte në rrjetin nëntokësor të furnizimit me energji elektrike, ndonëse është një investim i bërë vitet e fundit. Defektet në rrjetin nëntokësor kanë qenë të shumta dhe për shkak se është vështirë teknikisht të përcaktohen, por banorëve u është dashur që të përballen me mungesën e energjisë elektrike dhe ujit të pijshëm për orë të tëra.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)