E Shtunë, 31 Tetor 2026

KiE përshëndet hyrjen e opozitës në Parlament

STRASBURG- Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës Mevlüt Çavusoglu përshëndeti sot kthimin e opozitës në parlamentin shqiptar gjatë seancës së javës që shkoi, duke e cilësuar këtë hap si shenjë të rëndësishme në zgjidhjen e ngërcit politik në vend.
" Shpresoj që ky hap pozitiv të shënojë fillimin e pjesëmarrjes të vazhdueshme e të gjitha forcave politike në punën e parlamentit."

Presidenti i APKiE-së shprehet i kënaqur që ky zhvillim politik ndodh pas vizitës së delegacionit të Asamblesë në Shqipëri vendi, që ofroi ndihmën për zgjidhjen e situatës politike dhe që asistoi presidentin Topi në rolin e tij si negociator.

"Unë jam shumë i kënaqur në lidhje me këtë zhvillim sepse ai vjen pas vizitës së fundit të delegacionit të Këshillit të Europës në Shqipëri për të mbështetur në zgjidhjen e situatës politike dhe për të ndihmuar Presidentitn Topi në rolin e tij të ndërmjetësimit dhe përpjekjeve të tij për të rivendosur dialogun politik, " theksohet në deklaratën e Presidentit të APKIE.

Çavusoglu inkurajoi udhëheqësit e dy partive Socialiste dhe Demokratike, për të bërë përpjekje të mëtejshme me qëllim nxitjen dhe forcimin e dialogut politik në vend.
"Dialogu parlamentar është i një rëndësie të madhe për funksionimin demokratik të institucioneve të shtetit, dhe jetik për reformat që duhet të adresohen pa vonesë," theksoi Presidenti i Asamblesë Parlamentare të KiE.
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›