E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Shkodër/ Policia gjen banesën ku ruhej arsenal armësh gati për shitje

Një arsenal armësh është sekuestruar në një banesë në fshatin Mali i Jushit, informoi sot policia e Shkodrës.

Forcat blu kishin informacion për “një tentativë për shitje armësh tek persona me precendentë kriminalë të cilët dyshohet se do t’i përdornin armët për të kryer krime ndaj personit dhe pronës” 

Menjëherë është organizuar puna dhe në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Vaut të Dejës ndërhynë në banesën e 43-vjeçarit A. I., duke sekuestruar një arsenal armësh (1 snajper, 1 pushkë, 1 pistoletë, 1 armë gjahu, 2 armë sportive, 1 palë dylbi dhe municion luftarak për të gjitha llojet e këtyre armëve).

Në kërkim u shpall 43-vjeçari, poseduesi i arsenalit të armëve, i cili në momentin e kontrollit nuk u gjet në banesë ndërsa u procedua në gjendje të lirë nëna e tij, 73 vjeçare.

Strukturat hetimore të DVP Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti, si dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë  veprimtari kriminale.

Ndërkohë vijon puna për kapjen e poseduesit të arsenalit të armëve, shtetasit A. I. i akuzuar për veprën penale  “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, kryer në bashkëpunim. 

Operacioni u kodua “Guns”

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›