E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Spitali i Kardiologjisë, Rama publikon pamjet: Aparatura të fjalës së fundit të teknologjisë, kushte dhe standarde optimale

Kryeministri Edi Rama ka publikuar këtë mëngjes pamje nga Shërbimi i Kardiologjisë që ka nisur funksionimin në spitalin e ri të sëmundjeve të brendshme në QSUT.

Kreu i qeverisë shkruan në rrjetin social Facebook, se Shërbimi i Kardiologjisë është i pajisur me aparaturat e fjalës së fundit të teknologjisë dhe me kushte e standarde optimale.

“Mirëmëngjesi dhe me Shërbimin e Kardiologjisë, me aparatura të fjalës së fundit të teknologjisë, me kushte e standarde optimale, i cili ka nisur funksionimin në spitalin e ri ultramodern të sëmundjeve të brendshme në QSUT, mes befasisë së pacientëve dhe entuziazmit të ekipeve mjekësore, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

Shërbimet e Kardiologji 1 dhe 2  janë transferuar së fundmi në Spitalin Qendror në QSUT. Kapacitetet e këtyre dy shërbimeve janë 116  shtretër. 

Spitali Qendror ka kapacitet 345 shtretër dhe do të akomodohen 14 shërbime mjekësore spitalore të specializuara nga kardiologjia, nefrologjia, hematologjia, gastrohepatologjia, mjekësia interne, endokrinologjia, dermatologjia, reumatologjia, alergologjia, urgjenca dhe imazheria.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›