Strehuan 9 emigrantë për ti transportuar drejt Malit të Zi, arrestohen 3 persona, në kërkim 2 të tjerë

Tre persona janë arrestuar dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim për transport emigrantësh të paligjshëm kundrejt fitimit.
Policia e Tiranës ka gjetur brenda banesës së një 39-vjeçari, të strehuar 9 emigrantë të paligjshëm të cilët do të transportoheshin me pagesë drejt kufirit me Malin e Zi.
39-vjeçari në bashkëpunim me 4 të tjerë, transportonin emigrantë të paligjshëm, nga Saranda në Tiranë, i strehonin disa ditë në Pezë Helmës dhe më pas i transportonin ata drejt kufirit me Malin e Zi, kundrejt pagesës, me qëllim kalimin në vendet e BE-së.
Policia ka proceduar në gjendje të lirë 9 emigrantët ndërsa ka sekuestruar 2 automjete me të cilat të arrestuarit kryenin transportimin e emigrantëve të paligjshëm, 2 celularë dhe 114 kubikë fara kanabisi që u gjetën gati për t’u kultivuar në banesën e 39-vjeçarit.
Sipas bluve të kryeqytetit “Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ushtronin veprimtarinë kriminale të dhënies ndihmë emigrantëve, për kalim të paligjshëm të kufirit. Ata transportonin emigrantë të paligjshëm, nga Saranda në Tiranë, i strehonin disa ditë në Pezë Helmës dhe më pas i transportonin ata drejt kufirit me Malin e Zi, kundrejt pagesës, me qëllim kalimin në vendet e BE-së”.
Policia ka arrestuar E. P., 35 vjeç, banues në Pezë Helmës, B. H., 34 vjeç, banues në Shkup, dhe A. R., 31 vjeçe, banuese në Tiranë. Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit A. Gj., 41 vjeç dhe E. Gj., 25 vjeç.
/rtsh.al/