E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, alarm nga ndotja e mbeturinave

02/08/2010 Banorët kërkojnë zgjidhjen e situatës, ende pezull Land Filli

Ditët e nxehta të kësaj vere banorët e një prej lagjeve periferike të Shkodrës i kanë kaluar përsëri me dritaret e shtëpive të tyre të mbyllura. Kjo si shkak i tymit dhe erës së rëndë që vjen prej hedhjes dhe djegies së mbeturinave të qytetit në afërsi të banesave të tyre. Janë rreth 100 ton mbeturina që hidhen dhe digjen çdo natë pranë kësaj lagjeje, në afërsi të Varrezave të Dëshmorëve. Tymrat dhe gazrat e dalur nga plehrat që digjen vetëm 3 km larg qytetit të Shkodrës, depërtojnë jo vetëm në lagjet në afërsi të vendit të hedhjes së mbeturinave por edhe më në brëndësi të qytetit. Banorët e lagjes informale“Mark Lula”, e cila ndodhet pranë vendit të grumbullimit dhe diegies së mbeturinave të të gjithë qytetit, shprehen të shqetësuar nga situata.

Në lidhje me këtë problem, Dedë Gjetaj shprehet në emër të banorëve, se era kundërmuese që vjen nga djegia e plehrave afër shtëpive të tyre ka bërë që të mbajnë mbyllur dyert dhe dritaret e shtëpive të tyre, në një kohë që temperatuart e larta të kësaj vere të detyrojnë t’i mbash të gjitha hapur ditën dhe natën. Në këto kushte, shprehet banori Dedë Gjetaj, jetesa në këtë zonë është bërë e papërballueshme dhe njerëzit janë bërë gati t’i lënë shtëpitë e tyre të ndërtuara me aq mund e djersë nga fëmijët e tyre emigrantë. Por era e keqe, shprehet ai, është njëra anë e shqetësimit të banorëve të lagjes “Mark Lula”, pasi gjëndja po bëhet gjithnjë dhe më e padurueshme nga djegia e mbeturinave, sepse po u rrezikon shëndetin, sidomos fëmijëve të cilët paraqesin shqetësime të vazhdueshme në frymëmarrje, por edhe nga sëmundjet infektive.

Sipas mjekëve higjenist, simptomat që vijnë si pasojë e ndotjes së ajrit vihen re dukshëm tek pacientët, pavarësisht se nuk mund të jepen statisktika të sakta për numrin e të prekurve nga ndotja e ajrit. Mjekët sqarojnë se gazi i djeges së mbeturinave që depërton edhe në brëndësi të qytetit është një potencial i madh ndotës dhe me pasoja në shëndetin e banorëve. Banorët e lagjes “Mark Lula” të ndodhur shumë afër vendit të hedhjes dhe djegies së mbeturinave të qytetit, duke qënë se janë ata të parët që e ndiejnë shqëtësimin dhe ndikimin negativ të arjit të ndotur, kanë protestuar disa herë për këtë problem, duke kërcënuar me ndalimin e makinave që hedhin mbetyrinat në lagjen e tyre e deri edhe me bllokimin e rrugës nacionale nëse do të vazhdojë grumbullimi i plehrave në të njëjtin vend. Reagimi i tyre është shoqëruar me moshedhje për disa ditë të mbeturinave, por përsëri ky fenomen i përvitshëm është përsëritur.

Ndërkohë drejtuesit vendor të Shkodrës vazhdimisht janë shprehur se zgjidhja e këtij problemi mbetet një ndër prioritetet e Bashkisë dhe se vijon puna për ndërtimin e Land Filldit të Bushatit, që do t’i japë fund njëherë e mirë këtij problemi. Por derisa të përfundojë ndërtimi i vendgrumbullimit bashkëkohor të mbetyurinave në Bushat, banorët e lagjes “Mark Lula” kërkojnë nga pushteti vendor gjetjen e zgjidhjeve të tjera provizore larg qëndrave të banuara.

Situata në brendësi të qytetit

Ndërsa problemi i vendgrumbullimit të mbeturinave mbetet i pazgjidhur, higjena e brendshme e qytetit të Shkodrës gjatë këtij viti, ka pasur një përmirësim të dukshëm. Kjo erdhi si pasojë e vendosjes së një numri të madh kazanësh të mbeturinave, në të gjitha rrugët e qytetit. Pastrimi i tyre gjatë natës nga punonjësit e ndërmarrjes së pastrim gjelbërimit, të rrugicave të lagjeve dhe sidomos të akseve kryesore të qytetit, veçanërisht gjatë periudhës së stinës së nxehtë të verës, vlerësohen pozitivisht nga banorët e qytetit të Shkodrës. Por ndërkohë që vlerësojnë masat që ka marrë Bashkia në drejtim të pastrimit të qytetit, një pjesë e qytetarëve të Shkodrës shprehen se kërkohet një ndergjegjësim më i madh i vet qytetarëve për hedhjen e mbeturinave në vendet e caktuara dhe jo siç ndodh në disa raste, kur ato hidhen nga ballkonet apo dritaret e pallateve, apo edhe në tokë ,jashtë kazanëve të plehrave.

Nga ana tjetër, drejtuesit e Bashkisë së Shkodrës shprehen se për mbajtjen e higjenës së qytetit dhe pastrimin e rrugëve kërkohet një angazhim dhe gadishmëri më e madhe e komunitetit, jo vetëm në mos ndotjen e ambjentit, por edhe në kontibutin që duhet të japin qytetarët në drejtim të shlyerjes së taksës së pastrimit të vendosur nga Bashkia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›