Shkodër, asgjësohen 3 parcela me hashash
Shkodër- Komuna e Temalit në rrethin e Shkodrës ka qenë objektivi i radhës i forcave të antidrogës të drejtorisë së policisë, të cilat kanë mundur të identifikojnë dhe asgjësojnë 916 rrënjë bimë narkotike kanabis sativa. Bimët ishin mbjellë në fshatrat e kësaj komune.
Në vendin e quajtur sipër digës së hidrocentralit të Komanit, komuna Temal është identifikuar një parcelë e mbjellë me 680 rrënjë kanabis sativa. Në fshatin Qerret i Sipërm, të po kësaj komune është identifikuar një tjetër parcelë, e mbjellë me 156 rrënjë kanabis sativa.
Ndërsa në vrendin e quajtur Moshel në fshatin Vilë, po të komunës Temal është identifikuar një parcelë ku ishin mbjellë 80 rrënjë kanabis sativa. E gjithë bima narkotike është asgjësuar nga policia me anë të djegies.
Si dhe herë të tjera, akoma nuk ka persona të vënë para ligjit me akuzën e kultivimit të bimës narkotike, pasi ajo gjendet e mbjellë në zona të shpyllëzuara e pa pronar. Komuna e Temalit, prej vitesh njihet si zonë në të cilën mbillen bimë narkotike.