E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkoder festohet Lumturimi i Papa Gjon Palit te II

Me një meshë të shenjtë të celebruar në Kishën Katedrale të Shkodres nga Nunci apostolik në Tiranë, imzot Ramiro Molinar Ingles është festuar Lumturimi i Papa Gjona Palit të II-të. Në meshën e Shenjtë të celebruar me këtë rast merrnin pjesë besimtar të shumtë si dhe kryetari i Bashkisë Shkodër, Lorenc Luka.  Fillimisht Nunci Apostolik bekoi edhe statujën e Papa Gjon Palit të II-të që ndodhet në hyrje të Kishës Katedrale, dhe më pas vijoj me celebrimin e Meshës së Shenjtë.

Projektimi i pamjeve gjatë vizitës së Papës Vojtila në Shqipëri kanë sjellë në kujtesë për gjithë të pranishmit vitin 1993 kur për herë të parë në historinë e shqiptarëve një Papë, do vizitonte dhe do puthte tokën arbnore. Aktori i mirënjohur Mirush Kabashi në këtë mbrëmje kishte rezervuar një kolazh me poezi të Nënë Terezës, të cilën Papa Polak e deshi aq shumë.

Papa Gjon Pali i dytë ka një lidhje të veçantë me tokën shqiptare pasi është ky Papë, i cili që nga 1993 e priti Ibrahim Rugovën, si President të Kosovës, të zgjedhur nga populli i tij. Gjatë luftës në Kosovë Ati i Shenjt rregullisht kërkonte ndërprerjen e tmerreve dhe publikisht luste Zotin për një zgjidhje të shpejtë paqësore. Ati i Shenjt, më 26 nëntor 1994, duke e shuguruar Kardinal Mikel Koliqin, edhe pse në moshën 92 vjeç, nderoi kombin shqiptar.

Për Nënë Terezën ai ka thënë: “Nëna Terezë, kjo bijë e vogël me trup, por më e madhja e shekullit me vepra, po ia çon shumë lart zërin Shqipërisë dhe popullit shqiptar! Unë krenohem gjithmonë me Të e krenohuni edhe Ju – vëllezër e motra të Saj! Një popull që i ka dhuruar botës dhe njerëzimit një Nënë kaq të madhe – Nënën Terezë, nuk mund të jetë popull i vogël. Nëna Terezë po ngrit shumë lartë, në mbarë botën emrin e madh shqiptar dhe emrin e Shqipërisë! Unë gjithmonë e kam në zemër popullin shqiptar!”

Duke e shpallur të lumtur Nënën Terezë, vetëm gjashtë vjet pas vdekjes, Gjon Pali II theu të gjitha rekordet në procedurat e shenjtërimit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›