E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, grevistët e "9 Janarit" me serum në grevë, njëri përfundon në spital

Grevistët nuk dorëzohen as në ditën e 10 të grevës
Megjithëse në gjendje të rënduar shëndetësore, grevistët  e shoqatës "9 Janari" nuk pranojnë të dalin nga greva, në të cilën janë futur prej 10 ditësh. Njëri prej tyre ka përfunduar në spital, ndërsa tre të tjerë, edhe pse mbahen me serum, nuk pranojnë të lënë ambientet e grevës pa marrë përgjigje nga instancat shtetërore për fatin e të afërmve të tyre, i cili nuk dihet prej 5 vitesh. Ilir Gjila, i cili ishte futur në grevë për shkak se në tragjedinë e Karaburunit ka humbur të vëllanë, është shtruar urgjentisht në spital, pasi gjendja e tij shëndetësore është rënduar së tepërmi dhe mjekët kanë urdhëruar shtrimin e tij. Ndërkaq, grevistët e tjerë kanë pohuar sërish se nuk do të dalin nga greva, pavërësisht gjendjes së tyre shëndetësore, e cila në të vërtetë po rëndohet nga dita në ditë. Ne kemi vendosur dhe kërkojmë kockat e fëmijëve tonë, shprehet grevisti Ndoc Molla. Grevistët kanë kërkuar përgjigje të shpejtë nga drejtësia shqiptare duke akuzuar se "prokuroria e Vlorës është e lidhur direkt me krimin që është bërë". Mbas daljes së fakteve të reja në tragjedinë e 9 janarit 2004  familjarë të 8 të humburve kanë hyrë më datën 29 shkurt në grevë urie. Ata kanë mësuar tashmë se një gomone me 8 të mbytur është rimorkiuar, por nuk dihet se ku është çuar. Ky detaj është bërë nga shefi i krimeve të asaj kohe, Sokol Bizhga, sipas të cilit, në orën 06:00 të mëngjesit të datës 10 janar 2004, në gjirin e Dafinës është gjetur nga një anije shqiptare një gomone me 8 trupa të pajetë në bord, por ajo është rimorkiuar nga kjo anije dhe destinacioni i saj nuk dihet.
Greva për tragjedinë
Pas 5 vitesh sorollatje nëpër dyert e prokurorive dhe gjykatave, familjarë të të humburve në tragjedinë e 9 janarit të vitit 2004 në Karaburun, kanë vendosur të futen në grevë urie. Shoqata "9 Janari" ka kërkuar prej disa kohësh arsyet e fshehjes së tragjedisë brenda tragjedisë. Kjo ka të bëjë me faktin se përse nuk u mor vesh kurrë e fati dhe e vërteta rreth 8 personave të tjerë, që sipas kësaj shoqate, kanë qenë në një gomone të dytë, të padeklaruar dhe të fshehur si nga shteti edhe vetë drejtësia. Pikërisht për këtë, 4 prej anëtarëve të shoqatës "9 Janari" janë futur 10 ditë më parë në grevë urie, duke marrë me vete edhe një arkivol, për të treguar se vetëm nëpërmjet tij do të dalin nga greva e urisë. Kreu i shoqatës "9 Janari", Nikoll Mëhilli, i cili ashtu si grevistët e tjerë edhe ai vetë nuk di asgjë për fatin e djalit të tij që prej 9 janarit të vitit 2004, ka deklaruar se këta prindër kanë vetëm 3 kërkesa, që janë; gjetja e kockave të fëmijëve se ku i ka çuar shteti deri sa e vërteton shefi i krimeve që është gjetur gomonia e dytë, zbardhja e vërtetë e tragjedisë së 9 janarit dhe më kryesorja rihapja e hetimeve nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Familjarët tashmë të ngujuar në grevë urie, kërkojnë me çdo kusht dënimin e fajtorëve të vdekjes së fëmijëve dhe të afërmve të tyre në tragjedi. Sipas tyre, janë vetë strukturat e shtetit shqiptar ato që kanë fshehur 8 trupat e tjerë të viktimave të kësaj tragjedia të madhe në ujërat e Karaburunit. Ndoc Molla, prind i njërit prej të humburve gjatë tragjedisë së Karaburunit, ka kërkuar shqyrtimin e domosdoshëm të kësaj çështjeje në Gjykatën e Krimeve të Rënda, në të kundërt, sipas tij nuk do të dilet nga greva. "Ka pesë vite që është fshehur gomonia e dytë dhe kjo duhet gjetur edhe në sajë të fakteve të reja që ne kemi mbledhur, ose në të kundërtën na presin arkivolet. Ne kërkojmë këto trupa fëmijësh, por dhe se ku i kanë çuar. Ti gjejnë ku i kanë varrosur dhe të na japin ADN- në e tyre", ka deklaruar Molla, i mbështetur edhe nga grevistët e tjerë, të cilët shtojnë. Shoqata 9 Janari, ka paqartësi të madhe edhe në dritën e shumë fakteve për gjykimin dhe përgjigjet e drejtësisë, por sidomos për trupat e 8 viktimave, të cilat fshehin edhe ndonjë sekret akoma më të madh në atë që ato e konsiderojnë vrasje nga strukturat e shtetit. Më 9 janar të vitit 2004,  udhëtonin me gomone drejt Italisë 39 persona, por fati i keq e desh që prej tyre vetëm 11 të ktheheshin të gjallë, 20 të vdekur, ndërsa 8 deklaroheshin të humbur që prej asaj dite.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›