E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, i jepet lamtumira deputetit Gëzim Dibra

I është dhënë sot lamtumira deputetit të Partisë Demokratike Gëzim Dibra i cili ndërroi jetë dy ditë më parë nga një sëmundje e rëndë.
Homazhet janë zhvilluar në hollin e bashkisë së Shkodrës ku kanë marrë pjesë kryeministri Sali Berisha, kryeparlamentarja Jozefina Topalli, deputeti i Partisë Socialiste Namik Dokle si dhe miq dhe qytetarë të shumtë të Shkodrës.
Në fjalën e tij kreu i qeverisë ka ngritur lart figurën e deputetit Gëzim Dibra duke shtuar se Shkodra humbi një njeri të shquar i cili punonte për të ndërsa Partia Demokratike ka humbur një aktivist të shquar të saj.
Deputeti i Partisë Demokratike për qarkun e Shkodrës Gëzim Dibra ndërroi jetë në moshën 55-vjeçare si pasojë e një sëmundje të rëndë.

Gëzim Dibra ka lindur në Shkodër më datën 08.11.1956. Ka mbaruar studimet e larta në Fakultetin Juridik ndërsa si deputet i legjislativit shqiptar është zgjedhur në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009.
Ai ka qënë mbështetës i vazhdueshëm i politikave të Partisë Demokratike për zhvillimin e biznesit dhe në veçanti për krijimin e vendeve të reja të punës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›