E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, nis puna për sistemimin e Drinit

Punimet emergjente në Berdicë, Shkodër (foto A.Dushi)

Hedhja e zhavorrit në Berdicë (foto A.Dushi)

Ka filluar ndërhyrja emergjente për mbushjen me inerte të shtratit të lumit Drin në afërsi të fshatit Berdicë e Sipërme ku gërryerja e tokës nga lumi rrezikon shembjen e banesave dhe lokaleve. Mjete të tonazhit të rëndë kanë hedhur sasi të mëdha inertesh në pjesët ku gërryerja është më e madhe në mënyrë që të pritet vërshimi i ujit dhe marrja e mëtejshme e tokës prej tij. Sipas specialistëve të bordit të kullimit në Shkodër, synohet të devijohet gërryerja e tokës dhe kjo ndërhyrje emergjente do të pasohet me të tjera. Muhamet Muça, specialist i këtij bordi shprehet se kjo zonw është e njohur si zonw problematike prej shumë vitesh.

Në ditët në vijim do ketë një ndërhyrje tjetër më të rëndësishme, ndërtimi i një savane që do lejojë kthimin e drejtimit të ujërave të ardhura nga Drini duke i krijuar mundësi tjetër lëvizjeje ujit. Do ndërhyhet dhe afër lagjes Bahçallek pasi grumbullimi i zhavorrit në qendër ka bërë që ujërat të shkojnë drejt brigjeve dhe ti gërryejnë ato, shprehet Muça.

Sipas kryetarit të komunës Berdicë, Besnik Brahimi, ndërhyrja e shpejtë ka bërë që pakësohet rreziku i marrjes nga uji të banesave dhe disa lokaleve që rrezikoheshin të shembeshin. Besoj se do vazhdohet me ndërtimin e pritave përkatëse që këta banorë të mos ndihen të rrezikuar, tha Brahimi.

Isuf Meta, kryetar i fshatit Berdicë e Sipërme shprehet se banorët që kanë shtëpitë apo lokalet anës Drinit ndodhen në gjendje kritike pasi uji depërton çdo ditë por ndërhyrja që ka filluar duhet përgëzuar pasi po pengon gërryerjen e mëtejshme të tokës.

Lidhur me situatën e krijuar në marrjen nga uji të pronave të banorëve të Berdicës së Sipërme, Energji Ashta e cila po ndërton hidrocentralin e Ashtës ka sqaruar se hapja e argjinaturës së Spatharit teknikisht nuk ka ndikuar në fenomenin e gërryerjes së tokës nga uji në Berdicë. Sipas kësaj ndërmarrjeje prurjet në Ashtë varen nga prurjet e hidrocentraleve të tjera në lumin Drin dhe nga Vau Dejësi prurjet kanë qenë normale dhe nuk ka patur hapje portash. Po sipas deklaratës së ndërtuesve të hidrocentralit të Ashtës ,situate e krijuar në Berdicë ka lidhje me ujërat e tjera të Shkodrës dhe të liqenit si dhe me reshjet e shumta të ditëve të fundit. /Anila Dushi/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›