E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, policia dhunon pasagjerët e një furgoni

Policia mohon akuzat. I kthen ndaj qytetarëve 
Rastet e një policie jashtë çdo kontrolli dhe që vazhdon të veprojë jashtë ligjit, po përsëriten në Shkodër. Tani janë qytetarët që akuzojnë publikisht për një keqtrajtim masiv dhe gjendje të pirë të policëve të shtetit. Policët e Shkodrës kanë përdorur jo vetëm fjalor banale, por edhe dhunë tek shumë pasagjerë, mes të cilëve ka pasur edhe gra në një rrugë të fshatit Prekal. I gjithë furgoni me pasagjerë, mbas kësaj ngjarjeje duke treguar qartë shenjat në trupat e tyre nga goditjet dhe pa qenë aspak të pirë, kanë akuzuar edhe me emra policët që i kanë keqtrajtuar, sipas tyre pa pasur asnjë shkak për ta bërë këtë gjë. Banorët kanë qenë nga fshati Ura e Shtrenjtë dhe rrugës rreth orës 13:30 të së mërkurës, janë ndalur nga policë të Shkodrës, të cilët kanë bllokuar rrugën në mënyrë të tillë, sa që kanë rrezikuar që automjeti furgon të bjerë në lumin Kir.Mehmet Fikaj deklaron se nuk kanë folur aspak me ne dhe kanë zënë rrugën. Unë u godita i pari, sepse një prej tyre më pyeti nëse unë isha trimi dhe me goditi me një kanaçe birre në fytyrë dhe pastaj me grushte dhe shqelma. Kurse Sait Fikaj tregon edhe emrin e policit që sipas tij quhej Blerim Bazhdari dhe tregon se mbas ngjarjes ka ikur për tre minuta poshtë. Ne kaq në vështirësi kemi qenë nga prerja e rrugës, sa për ti mos i rënë makinës së policisë, kemi rrezikuar të shkojmë në humnerë në breg të Kirit, ka thënë ai, sipas të cilit, policët i kanë rënë më parë vëllait të tij pastaj kanë goditur të gjithë të tjerët deri edhe gratë që ishin në furgon. Nuk kuptohet pse është ushtruar dhunë ndaj udhëtarëve të këtij furgoni dhe për më tepër, se kjo dhunë është parë qartë edhe nga mediat, sepse kanë qenë pikërisht udhëtarët që kanë denoncuar publikisht policinë e Shkodrës, për një keqtrajtim të kotë dhe në gjendje të pirë të policive të shtetit. Në trupat e tyre viheshin qartë hematoma dhe më tepër se 10 persona kanë denoncuar policinë, se ajo kishte ushtruar dhunë mbi qytetarët e pafajshëm, duke qenë të pirë. Por policia e Shkodrës i është kundërpërgjigjur kësaj akuze duke akuzuar edhe ajo, se banorët kanë qenë të dehur dhe se policia ka kryer vetëm detyrën dhe është fyer dhe goditur ajo nga qytetarët e gjendur në furgon. Por vetëm për pak kohë në fakt, banorët kanë qenë përpara kamerave dhe asnjë nuk është dalluar se është në gjendje të dehur apo jo të mirë psikologjike nga pirja e pijeve alkoolike. Policia deklaron se ka marrë njoftim se tre pasagjerë ishin të pirë dhe po konfliktoheshin me njëri tjetrin dhe për këtë ka shkuar ta zgjidhë si situatë. Por përsëri nga pasagjerët, nuk është pranuar se ato kanë pasur grindje dhe konflikt, por kanë qenë thjesht në rrugën e tyre. Deklarata e policisë arrin deri aty sa të tregojë se punonjësit e policisë janë goditur dhe fyer dhe janë kthyer pa e kryer detyrën e tyre, por shton se kanë bërë kallëzim penal në Prokurorinë e Shkodrës.Nuk merret vesh se çfarë do të thotë deklarata e policisë me mos plotësim të detyrës, por ajo që kuptohet është se janë shtuar rastet e dhunës nga policia si ajo e rendit dhe po ashtu edhe jo profesionalizmi i Policisë së Qarkullimit Rrugor, gjithmonë prezent në akuzat e qytetarëve të ndryshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›